Një 22-vjeçare ka denoncuar një rast shqetësues, pasi thotë se një burrë e ndjek vazhdimisht në rrugët e Tiranës, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri edhe gjatë lëvizjeve të përditshme.
Në një mesazh denoncues, e reja tregon se ngjarja e fundit ka ndodhur në orët e mëngjesit, teksa ishte duke shkuar në punë.
Ajo shprehet se burri e ndiqte nga pas, ndërsa thekson se nuk e njeh dhe nuk ka asnjë lidhje me të.
“Unë atë nuk e njoh, por ai mua nuk e di se si më njeh. Jam 22 vjeçe dhe kjo nuk është hera e parë që më ndodh. Një herë më ka ndjekur deri brenda në lagje”, shkruan e reja.
Sipas saj, raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë në zonën e Spitaleve, pranë Shkollës së Bashkuar dhe Komisaritatit Nr. 4.
E reja shpreh shqetësimin se tashmë ndihet e pasigurt të ecë e vetme në rrugë, qoftë në mëngjes apo gjatë natës.
Ajo kërkon vëmendje ndaj këtij shqetësimi, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e vajzave dhe grave që lëvizin të vetme në kryeqytet.