Marina Ushtarake Franceze ka kapur të enjten një mjet lundrues gjysmë-nëndetëse në Oqeanin Atlantik, pasi ekuipazhi i saj tentoi ta fundosë për të zhdukur gjurmët. Bashkë me mjetin kanë përfunduar në fund të detit edhe disa tonë kokainë, ndërsa autoritetet arritën të nxjerrin nga uji vetëm 146 kilogramë drogë.
Lajmi u bë publik të dielën nga Ministria e Forcave të Armatosura dhe Prefektura e Martinikës. Ministrja franceze e Forcave të Armatosura e cilësoi operacionin si një aksion të paprecedentë, shkruajnë mediat e huaja.
“Për herë të parë, Marina Ushtarake Franceze ka interceptuar një mjet gjysmë-zhytës që transportonte të paktën 146 kilogramë kokainë. Operacioni u realizua falë përdorimit të një helikopteri të vendosur në bordin e anijes ushtarake dhe mbështetjes së një avioni amerikan të patrullimit detar”, deklaroi ministrja Catherine Vautrin përmes një postimi në rrjetin social X.
Ministrja publikoi gjithashtu pamje filmike të mjetit të ndaluar në det, si dhe fotografi të njërit prej personave në bord, me fytyrën e mbuluar, i cili u arrestua dhe u transportua nga efektivët francezë në një anije ushtarake.
Ngarkesa e drogës u fundos qëllimisht
Kur fregata e Marinës Franceze iu afrua mjetit lundrues, i cili nuk mbante asnjë flamur identifikues, tre nga personat në bord u hodhën në det.
“Grupi i kontrollit arriti të hipte në bord dhe të nxirrte prej andej personin e katërt, i cili kishte pasur kohë të aktivizonte mekanizmin e fundosjes së mjetit. Ai u fundos brenda më pak se tre minutash”, bëjnë të ditur autoritetet në një komunikatë zyrtare.
Të katër personat u shpëtuan dhe u vunë në pranga. Ndërkohë, nga sipërfaqja e detit u arrit të rikuperoheshin disa pako me kokainë, me një peshë të përgjithshme prej 146 kilogramësh.
“Pjesa tjetër e ngarkesës, e përbërë nga disa tonë drogë, u fundos bashkë me mjetin gjysmë-zhytës”, njoftoi Ministria e Forcave të Armatosura.
Bëhet fjalë për një mjet lundrues artizanal ose gjysmëartizanal, i projektuar për të lëvizur pothuajse tërësisht nën sipërfaqen e ujit, duke e bërë më të vështirë zbulimin e tij.
Kokaina, një fenomen i përhapur në Atlantik
“Ky operacion dëshmon efikasitetin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe aftësinë e forcave tona të armatosura për të luftuar trafikun e paligjshëm, në respekt të plotë të konventave të Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit”, deklaroi ministrja Catherine Vautrin.
Vetëm një muaj më parë, Marina Franceze sekuestroi mbi 8,6 tonë lëndë narkotike, kryesisht kokainë, brenda pak ditësh, në detin e Karaibeve dhe në Oqeanin Atlantik.
Operacioni u mundësua nga bashkëpunimi dhe koordinimi mes Francës, Kolumbisë, Shteteve të Bashkuara, Holandës, Anglisë dhe Venezuelës.
Në atë rast, lënda narkotike transportohej me anije peshkimi ose mjete të shpejta lundrimi, të njohura si ‘go-fast’, disa prej të cilave nuk mbanin flamur identifikues. Ato synonin të kalonin Atlantikun nga brigjet e kontinentit amerikan drejt destinacioneve të tjera.
Sipas Ministrisë franceze të Forcave të Armatosura, transporti detar mbetet rruga kryesore përmes së cilës kokaina hyn në Francë. Në vitin 2025, ministria vlerësonte se prodhimi i kësaj lënde narkotike ishte trefishuar gjatë viteve të fundit.
Metoda gjithnjë e më të sofistikuara të transportit
Rrugët dhe mënyrat e transportimit të drogës janë të shumta. Lëndët narkotike mund të fshihen në anije tregtare, mjete peshkimi, jahte, kontejnerë, por edhe të transferohen nga një anije në tjetrën në det të hapur.
Trafikantët përdorin gjithnjë e më shumë edhe mjete të sofistikuara transporti, të cilat autoritetet franceze i klasifikojnë si ‘narko-nëndetëse’ ose mjete gjysmë-zhytëse. Në këtë kategori përfshihen edhe dronë, të pajisur me sisteme për bllokimin e komunikimeve elektronike dhe pajisje telefonike satelitore.
Edhe personat e përfshirë në këto rrjete kriminale kanë profile të ndryshme. Sipas ministrisë, ata mund të jenë peshkatarë në kushte të vështira ekonomike, të angazhuar përkohësisht në transportin e drogës, anëtarë të karteleve të organizuara kriminale, por edhe detarë nga vendet perëndimore, të margjinalizuar ekonomikisht, të cilët rekrutohen kundrejt pagesës ose detyrohen të bashkëpunojnë.
Ky diversitet i personave të përfshirë dhe i metodave të përdorura e vështirëson punën e autoriteteve dhe i bën gjithnjë e më komplekse strategjitë për identifikimin dhe ndalimin e mjeteve që transportojnë lëndë narkotike.









Komente
Komento