Gjyshja autoritare dhe dashuria me mësuesen 24 vite më të madhe, biografia që zbulon një tjetër Macron

16/11/2026 09:27

Një biografi e re për presidentin francez, Emmanuel Macron, zbulon detaje të panjohura nga fëmijëria, marrëdhënia e tij e veçantë me gjyshen dhe historia e dashurisë me bashkëshorten Brigitte Macron, duke sjellë një portret ndryshe të liderit francez.

Në librin e gazetares politike Catherine Nay, e cila ka zhvilluar intervista me vetë Macronin, bashkëshorten e tij dhe persona që e kanë njohur që në fëmijëri, presidenti përshkruhet si një njeri jashtëzakonisht inteligjent, por i izoluar dhe me vështirësi për të pranuar kritikat apo për të vënë në dyshim vendimet e tij.

Një nga deklaratat më të veçanta të Macronit, i cili sot është 48 vjeç, lidhet me mënyrën se si e percepton ende veten. “Unë jam ende fëmijë. Nuk kam qenë kurrë adoleshent. Nuk më pëlqejnë adoleshentët. Nuk i kuptoj ata. Gruaja ime i kupton”, mësohet të ketë thënë ai gjatë bisedës me biografen e tij.

Sipas librit, personaliteti i Macronit është formuar kryesisht nga dy figura femërore, gjyshja e tij, Manette, dhe bashkëshortja Brigitte, e cila është 24 vjet më e madhe se ai.

Gjyshja Manette, një ish-drejtoreshë shkolle, përshkruhet si një grua autoritare, e cila kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e nipit të saj dhe synonte ta formësonte atë sipas pritshmërive të veta. Ajo kujdesej nga afër për edukimin e tij dhe e mbante të përqendruar te studimet, duke kufizuar kontaktet e tij me bashkëmoshatarët.

Një episod i përmendur në biografi lidhet me moshën 14-vjeçare të Macronit, kur ai nisi të shfaqte interes për vajzat. Ky zhvillim thuhet se e zemëroi gjyshen e tij, ndërsa i riu arriti të rifitonte miratimin e saj vetëm pasi i premtoi se nuk do të takohej më me vajza.

Autorja thekson se Macron kishte një lidhje shumë më të ngushtë me gjyshen sesa me prindërit e tij. Ndikimi i saj, sipas Brigitte Macron, vazhdon të jetë i pranishëm edhe sot në jetën e presidentit.

“Emmanuel ende nuk e ka varrosur gjyshen e tij. Ai as nuk e ka zëvendësuar atë. Duhet t’i nënshtrohet psikoanalizës”, mësohet t’i ketë thënë Brigitte autores së librit.

Një pjesë e rëndësishme e biografisë i kushtohet edhe marrëdhënies së pazakontë mes Emmanuel dhe Brigitte Macron, e cila nisi kur ai ishte vetëm 15 vjeç, ndërsa ajo 39.

Në atë kohë, Brigitte ishte mësuesja e tij e teatrit, e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. Macron ishte shok klase me njërin prej fëmijëve të saj.

Sipas autores, ishte vetë Emmanueli ai që mori iniciativën për t’iu afruar mësueses së tij. Ndjenjat e tij për Brigitte përshkruhen si një tërheqje e pazakontë për moshën e tij. Madje, ai thuhet se i kishte propozuar të shkruanin së bashku një dramë, në mënyrë që të kishin më shumë kohë për të kaluar pranë njëri-tjetrit.

Një tjetër detaj që përmendet në libër është një bisedë e Brigitte me një shoqe, së cilës i kishte treguar se e kishte pyetur Macronin nëse dëshironte të kishte fëmijë të tij. Përgjigjja e tij, sipas saj, kishte qenë: “Jo, dua që ti të kujdesesh vetëm për mua”.

Inteligjenca dhe vetëbesimi, por vështirësi për të pranuar kritikat

Biografia e paraqet Macronin si një fëmijë me aftësi të jashtëzakonshme intelektuale, por që kishte pak miq dhe qëndronte i distancuar nga bashkëmoshatarët. Sipas Catherine Nay, kjo prirje për izolim nuk është zhdukur as në jetën e tij si president.

Ajo vëren se Macron duket gjithnjë e më i shkëputur nga njerëzit përreth tij, duke kaluar pjesën më të madhe të jetës së përditshme në Pallatin Elysee.

Një tjetër tipar që autorja vë në dukje është bindja e tij e fortë se vendimet që merr janë të drejta. Vetëbesimi që e ndihmoi të arrinte në krye të Francës në moshën 39-vjeçare, duke u bërë presidenti më i ri i vendit që nga koha e Napoleonit, sipas saj, është kthyer në një pengesë për autokritikën.

“Introspeksioni nuk ekziston në botën e tij shpirtërore. Edhe kur kërkon falje, më vonë kthehet për të shpjeguar se kishte të drejtë”, është shprehur Nay në një intervistë për radion franceze France Inter.

Si shembull të kësaj sjelljeje, gazetarja përmend vendimin e Macronit për të shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2024. Ky vendim solli humbjen e shumicës parlamentare për kampin e tij dhe e futi Francën në një periudhë të gjatë paqëndrueshmërie politike.

Përmes dëshmive dhe episodeve nga jeta private, libri synon të shpjegojë se si përvojat e fëmijërisë, marrëdhëniet familjare dhe vetëbesimi i fortë kanë ndikuar në formimin e një prej figurave më të rëndësishme politike të Francës.

Top Channel