Policia Kufitare e Korçës ka zhvilluar kontrolle intensive bazuar në analizën e riskut, duke vënë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe duke zbuluar dy raste të kontrabandës së mallrave.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Goricë kanë kapur në hyrje të Shqipërisë një 57-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vjena.

Shtetasi me inicialet T. P. kërkohej nga autoritetet austriake, pasi Gjykata Rajonale e Vjenës, me vendimin e datës 4 gusht 2025, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.

Pas kapjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë kryen arrestimin e përkohshëm të 57-vjeçarit, me qëllim ekstradimin drejt Austrisë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët austriakë, vijon procedurat për ekstradimin e tij.

Ndërkohë, në pikën kufitare të Kapshticës janë zbuluar edhe dy raste të kontrabandës së mallrave.

Gjatë kontrolleve në vijën e dytë, në një autobus që drejtohej nga shtetasi Sh. H., 55 vjeç, banues në Tiranë, policia gjeti mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara, mes tyre cigare, produkte ushqimore, medikamente, vaj dhe pjesë automjetesh.

Në një tjetër autobus, që drejtohej nga shtetasi M. G., 29 vjeç, gjithashtu banues në Tiranë, u gjetën steka me cigare të dyshuara të kontrabanduara.

Në përfundim të veprimeve, Sh. H. u arrestua në flagrancë, ndërsa M. G. u procedua penalisht në gjendje të lirë.

Të gjitha mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb