Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Target”, në kuadër të të cilit është kapur dhe ndaluar 23-vjeçari Luçian Mëhilli, i shpallur në kërkim si i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e V. F., ngjarje e ndodhur më 21 shtator 2023 në fshatin Hot i Ri.
Gjykata kishte caktuar ndaj Mëhillit masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe 26-vjeçari Kristjan Çarkaj, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe prodhim e shitje të narkotikëve. Dy të rinjtë u kapën në aksin rrugor Shkodër–Prekal, teksa udhëtonin së bashku me një automjet tip “Opel”.
Sipas policisë, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës së Mëhillit u gjetën sasi të dyshuara lëndësh narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndët narkotike, automjeti dhe dy telefona celularë.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.a.b





