Një tragjedi është regjistruar në orët e para të së hënës në ishullin turistik të Phuket, në Tajlandë, ku 11 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri masiv që përfshiu një ndërtesë katërkatëshe në zonën e Patongut.

Zjarri nisi në një dyqan me qira motoçikletash në katin përdhes, dhe më pas u përhap me shpejtësi në katet e sipërme, ku ndodheshin ambiente banimi.

Sipas autoriteteve, flakët dhe tymi i dendur bllokuan personat që ndodheshin brenda ndërtesës. Disa prej viktimave dyshohet se u përpoqën t’i shpëtonin zjarrit duke u ngjitur në katet më të larta. Një trup u gjet në katin e tretë, ndërsa dhjetë të tjerë në katin e pestë, sipas deklarimeve të shefit të policisë.

Guvernatori i Phuketit, Chondarin Koensom, bëri të ditur se në dyqan ndodheshin rreth 100 motoçikleta, si dhe sasi karburanti, vaj motori, materiale plastike dhe goma. Këto materiale dyshohet se kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve dhe krijimin e tymit të dendur e toksik.

Nga zjarri mbetën të plagosur edhe dhjetëra persona. Sipas raportimeve, viktimat dhe të plagosurit përfshijnë shtetas tajlandezë dhe nga Myanmar, ndërsa autoritetet kanë sqaruar se mes tyre nuk kishte turistë.

Sa i përket shkakut të zjarrit, hetimet vijojnë. Provat paraprake, sipas një zëdhënësi të policisë, sugjerojnë se një transformator elektrik pranë ndërtesës kishte shpërthyer pak para se të shpërthenin flakët.

Autoritetet tajlandeze po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të kësaj tragjedie.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: