Dyqanit të luleve në Tufinë i vendoset sërish tritol, shkak dyshohen borxhet e bixhozit që ka djali i pronarit
Një shpërthim me tritol është regjistruar në një dyqan lulesh në Tufinë. Biznesi është në pronësi të 65 vjeçarit me iniciale A.K. Ngjarja ndodh për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër.
Në të njëjtin biznes, shpërtheu tritol në datën 01.11.2026 në orën 02:45, ku sasia e lëndës plasëse u vendos në tarracën e biznesit.
Gazetari i Vizion Plus Esido Barkaj raporton se policia aktualisht për hetimin që po ndjek, i ka bashkuar të dyja ngjarjet në një. Për ngjarjen e parë, policia e identifikoi autorin, ndërsa nuk dihet nëse është i njëjti apo jo edhe për rastin e dytë.
“Më datë 01.11.2026, rreth orës 02:45, në Tufinë, në tarracën e një dyqani lulesh, në pronësi të shtetasit A. K., rreth 65 vjeç, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse. Nga veprimet hetimore të kryera është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar. Për shkak të vijimit të hetimeve, nuk bëhen me dije gjeneralitetet e tij”, thuhej në njoftimin e policisë pak ditë më parë.
Në sajë të hetimeve dhe nga deklarimet që ka bërë pronari para hetursve, ka dyshime se shkak janë bërë konfliktet e djalit të 65 vjeçarit me disa persona të tjerë për çështje borxhi nga lojrat e fatit.




