Tritoli në Tufinë, dyshimet e pronarit: Dyshoj prej djalit që luan bixhoz, më kërkuan 24 milionë lekë
Një shpërthim i dytë me tritol në harkun e dy javëve ka vënë në alarm pronarin e një dyqani lulesh në zonën e Tufinës në Tiranë. Asllan Koçi, pronari i biznesit që është bërë sërish objekt i sulmit, ka deklaruar se dyshon se ngjarja mund të ketë lidhje me të birin, për shkak të problemeve të tij me bixhozin.
Në një prononcim për Report TV, Koçi ka treguar se situata është përkeqësuar dhe se familja e tij është përballur me kërkesa të përsëritura për shuma të mëdha parash. Sipas deklarimit të tij, personat e përfshirë i kanë kërkuar 24 milionë lekë të reja, ndërsa situata është shoqëruar edhe me episode të tjera shqetësuese.
“Situata është shumë keq, kjo është hera e dytë. Prej djalit që luan bixhoz, më kanë marrë lekë, duan dhe 240 milionë. Përnatë kam qëndruar roje. Policia ka nisur kërkimet, por ende nuk e ka kapur”, është shprehur Koçi.
Pronari pretendon se kërcënimet dhe kërkesat financiare mund të jenë në themel të sulmeve ndaj biznesit të tij. Ai thotë se ka qëndruar çdo natë në roje, nga frika e një tjetër goditjeje.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave. Mbetet për t’u verifikuar nëse shpërthimi i fundit lidhet me pretendimet e pronarit për presion financiar dhe kërkesa për para.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



