Grushta, emocione dhe spektakël në kampionatin e Kosovës për MMA: Legjenda e UFC-së, Ilir Latifi me pritshmëri të mëdha
MMA Kosova dhuroi një mbrëmje të zjarrtë me 17 finale të shtunën.
Nga talentët e grupmoshave U14, U16, U18 e deri te seniorët, ata dhanë gjithçka për një synim, titullin e kampionit. Pjesë e spektaklit ishte edhe konkurrenca e femrave, duke dëshmuar zhvillimin e MMA në Kosovë.
Forcë, disiplinë, guxim dhe etje për fitore, këto e karakterizuan një mbrëmje që iu kushtua arteve luftarake. Një natë, 17 beteja dhe kampionë të rinj në kafaz.
I pranishëm ishte edhe legjenda e UFC-së Ilir Latifi. Ai ka zhvilluar plot 26 përballje në kafaz, ku regjistroi 16 fitore (gjashtë prej tyre me nokaut), nëntë humbje si dhe një sfidë përfundoi pa fitues.
Latifi në një intervistë ekskluzive për Telegrafin deklaroi se shqiptarët janë trima të mëdhenj dhe tani thjesht duhet punë.
"Ka qenë një organizim shumë i mirë, shumë profesionale, një nivel i lartë. Edhe garuesit kanë qenë, domethënë kanë pasë shumë shumë vullnet për me hi, për me dëshmu veten. Kjo është Kampionati i dytë në Kosovë dhe është një send shumë pozitive”.
“Thashë, kanë ardhë kushtet edhe në Kosovë, edhe vendet tona, domethënë me u marrë me këtë sport. Talenta kemi boll, trima jemi boll. Tash vetëm duhet me ushtru, mu përgatit, me pas një plan për për të ardhmen”, shtoi ai.
Pritshmëri të mëdha për zhvillimin e MMA në Kosovë kishte edhe kryetari Federatës së MMA në Kosovë, Arben Latifi, i cili për Telegrafin deklaroi se koha ka ndryshuar për luftëtarët tanë dhe tani iu mbetet atyre vetëm të vazhdojnë me stërvitje për ta dëshmuar veten.
“Jemi të kënaqur se 1 mijë ulëse kanë qenë krejt, domethënë ka pasur shumë njerëz. Ka shumë potencial, ka djemë dhe çika të reja që në sportet luftarake munden me përparu. Kemi mundësinë me dalë që në të ardhmen që kosovarët ta dëshmojnë vetën në kampionatet e mëdha”, nënvizoi ai./Telegrafi/


































