Vendosni fjalën kyçe....

Berisha thirrje Veliajt dhe Spiropalit: Të gjithë faktorët kundër Ramës duhet të bashkohen



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar përplasjet e fundit brenda Partisë Socialiste mes kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetes Elisa Spiropali, duke u bërë thirrje të gjithë kundërshtarëve të kryeministrit të bashkohen për largimin e tij nga pushteti.

I pyetur nga gazetarët jashtë ambienteve të SPAK nëse kishte një mesazh për Veliajn dhe Spiropalin, Berisha deklaroi: “Të gjithë faktorët që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe në historinë pluraliste duhet të bashkohen ta përcjellim një minutë e më parë”.

Përplasjet brenda PS-së u bënë më të dukshme gjatë mbledhjes së Asamblesë së partisë të shtunën, ku Elisa Spiropali u përjashtua nga forumet drejtuese, ndërsa Erion Veliaj u largua nga drejtimi politik i Partisë Socialiste për Tiranën.

Duke komentuar zhvillimet, Berisha i cilësoi socialistët “bashkëfajtorë” dhe “bashkëautorë” të asaj që ai e quajti dhunë dhe terror policor ndaj protestuesve që kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai akuzoi gjithashtu drejtuesit e PS-së se po i bëjnë amnisti kryeministrit për vjedhjet që i atribuoi atij.

Berisha pretendoi se Rama është “60 përqind aksioner” në dosjen Balluku dhe përsëriti një akuzë për 200 milionë euro të fshehura në banka offshore, të cilën ia atribuoi OSBE-së në vitin 2014.

Kreu i PD-së u shpreh se fundi politik i kryeministrit është i pashmangshëm dhe i bëri thirrje qytetarëve të vijojnë protestat.

“Ftoj shqiptarët të vazhdojnë fuqishëm protestat, të vazhdojmë t’i japim shtytjen e fundit këtij narkodiktatori që plaçkiti Shqipërinë më shumë se të gjitha regjimet e kohërave të shkuara”, deklaroi Berisha.