Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “MONARKIA”/EKSPOZITA E VAJZËS SË ARTAN LAMES NË MUZE ‘GARDA
Ekspozita numizmatike, faleristike dhe filatelike “Monarkia” çelet mbrëmjen e sotme, më 16 nëntor, në orën 18:00, në Qendrën Muzeale “Garda”, në ambientet e ish-Gardës së Republikës. Lisia Lame, vajza e studiuesit Artan Lame, synon të na kthejë pas në kohë, në periudhën e monarkisë shqiptare. Përmes objekteve autentike të asaj kohe dhe historive që ato mbartin, ekspozita sjell një udhëtim në një prej periudhave më të veçanta të historisë së Shqipërisë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur më 17 dhe 18 nëntor, nga ora 10:00 deri në 20:00.
2. FESTIVALI MBARËKOMBËTAR I HUMORIT “TANO FEST” NË SHKODËR
Shkodra bëhet kryeqendra e humorit shqiptar me Festivalin Mbarëkombëtar të Humorit “Tano Fest”, që do të vijojë të mbahet deri më 21 nëntor në skenën e Teatrit “Migjeni”. Festivali i kushtohet ikonës së humorit shqiptar, Tano Banushi, në prag të 100-vjetorit të lindjes së tij. Për 8 netë, publiku do të ketë mundësi të ndjekë shfaqje të ndryshme, në një festë të artit skenik, humorit dhe interpretimit.
3. ROBERT BISHA SJELL KONCERTIN “DËGJO MJEDËN” NË ZADRIMË
Një homazh artistik kushtuar poetit, intelektualit, politikanit dhe meshtarit Ndre Mjeda do të mbahet pazditen e sotme në Qendrën Muzeale “Ndre Mjeda”, në Kukël të Zadrimës. Projekti “Dëgjo Mjedën”, me krijim dhe drejtim artistik nga Robert Bisha, ndërthur muzikën korale, kompozimet origjinale, interpretimin skenik dhe kërcimin bashkëkohor, duke sjellë një rilexim të veprës dhe mendimit të një prej figurave të rëndësishme të kulturës shqiptare.
4. ARKEOLOGJI/EKSPOZITA “PORTA E KOHËS” ÇELET NË SHKODËR
Arkeologjia dhe trashëgimia kulturore vijnë në qendër të ekspozitës “Porta e Kohës”, e cila hapet nesër, më 17 nëntor, në orën 18:30 në Galerinë e Arteve të Shkodrës. Ekspozita propozon një udhëtim në historinë dhe pasurinë arkeologjike të tri qyteteve shqiptare: Shkodrës, Beratit dhe Korçës.
5. BEN BLUSHI PREZANTON LIBRIN E RI NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE
Shkrimtari Ben Blushi do të takohet me lexuesit nesër në orën 17:00 në Qendrën “Sotir Kolea” në Bibliotekën Kombëtare, në një datë simbolike për Tiranën, ditën e Çlirimit të qytetit. Në fokus të takimit do të jetë romani i tij më i ri, “Historitë e çmendura të Tiranës: nga 1600 deri në vitin 2000”, përmes të cilit autori sjell histori, personazhe, ngjarje dhe episode pak të njohura nga e kaluara e kryeqytetit.
6. KOMEDIA “10 VJET MARTESË” NË TEATRIN EKSPERIMENTAL NË TIRANË
Komedia “10 vjet martesë” rikthehet në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me tri shfaqje të programuara më 16, 17 dhe 18 nëntor në orën 20:00. Me autor Alil Vardar, shfaqja vjen nën regjinë e Andia Xhungës dhe interpretim nga Gentian Zenelaj dhe Andia Xhunga.
7. “TË (PA)THËNAT”/ KOMEDIA E GEGËS ME EVA ALIKAJN NË LEZHË
“Të (pa)thënat” është komedia me regji të Xhilberto Gegës dhe pjesëmarrjen e aktores Eva Alikaj, që do të shfaqet nesër në orën 18:00 në skenën e Pallatit të Kulturës “Dedë Ndue Lazri” në Lezhë. Hyrja për shfaqjen është e lirë.












Komente
Komento