Çmimi i Maratonës së Tiranës duket se është kthyer në një traditë për kampionen shqiptare Luiza Gega, e cila e fiton këtë garë për të disatën herë. Me një kohë prej 2 orësh, 35 minutash e 35 sekondash, atletja shqiptare u ngjit në shkallën më të lartë të podiumit, duke fituar edhe shpërblimin financiar prej 5 mijë eurosh. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me gazetarin Flavio Qarri, në emisionin “Kafe Shqeto”, atletja ka folur për sakrificat dhe kostot financiare që kërkon të jesh një sportiste e nivelit të lartë, duke theksuar se shpërblimet nga garat nuk i mbulojnë shpenzimet.
“Ka një kosto shumë të lartë për të qenë sportist, pa llogaritur vetëm atletet, ushqimin, suplementet apo fizioterapinë. Vetëm shpenzimet për këto i tejkalojnë ato që mund të fitosh”, u shpreh Gega.
Duke folur për konkurrencën në Maratonën e Tiranës, ajo theksoi se në vitet e kaluara niveli ka qenë më i lartë, veçanërisht për shkak të pjesëmarrjes së sportistëve elitarë nga vende si Kenia.
“Këtë vit, me sa duket, situata e muajve të fundit i ka frikësuar disi. Megjithatë, unë jam gjithmonë ngjitur në podium, sepse kam një nivel të lartë. Këtë herë realizova një kohë shumë të mirë, edhe pse garova e vetme, pa konkurrente. Kalova vijën e finishit edhe më shpejt se djemtë, pra dola e para në të dyja kategoritë”, deklaroi kampionia shqiptare.
Gega vuri në dukje edhe rritjen e interesit për vrapimin në Shqipëri, duke theksuar se gjithnjë e më shumë njerëz po provojnë të përshkojnë distanca të gjata dhe synojnë të përmirësojnë rezultatet e tyre.
“Është rritur komuniteti i njerëzve që vrapojnë. Çdo vit e më shumë kanë dëshirë të provojnë distanca të gjata. Nëse e arrin një distancë për herë të parë, më pas ke dëshirë të përmirësosh kohën. Njerëzit po e kuptojnë se nuk është e domosdoshme të dalësh i pari apo të bësh garë me shokun. Me mua është pak e vështirë të bësh garë”, tha ajo me humor.
Sipas Gegës, popullariteti i maratonave në mbarë botën lidhet edhe me mundësinë që çdo pjesëmarrës të masë progresin e tij dhe të përpiqet të përmirësojë rezultatet nga viti në vit.
Në përfundim, kampionia shqiptare theksoi se kënaqësia që të jep sporti dhe arritja e objektivave personale është shumë më e madhe se shpërblimi financiar.
“Kënaqësia që merr është më e madhe se vlera monetare e çmimit”, përfundoi Luiza Gega.
© SYRI.net
Kryesimi i grupit shpërblehet me miliona, ja sa përfitoi Shqipëria nga UEFA dhe sa arkëtojnë fituesit në Ligat A dhe B
Elia Caprile hap derën për Shqipërinë: Nuk më kanë kontaktuar, por nëse ndodh, do ta shqyrtoj
‘Më lini të luaj poker në paqe’, Neymar reagon për lidhjen e pretenduar me ish-partneren e Vinicius JuniorBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: