Aktualitet Politikë

Zgjedhje të lira e të ndershme, Berisha i bën thirrje opozitës për bashkim!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu bëri thirrje të gjithë faktorëve opozitarë, të bashkohen për të hartuar një kuadër të përbashkët ligjor që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në një deklaratë për mediat, pas daljes nga SPAK-u, Berisha u shpreh se nuk ka pritshmëri që kryeministri Edi Rama të pranojë ndryshime në Reformën Zgjedhore se siç u shpreh, mund t’i cenojnë pushtetin, por theksoi se opozita duhet të paraqesë një alternativë të përbashkët para qytetarëve.

Sipas Berishës, disa nga çështjet ku duhet të ketë dakordësi mes forcave opozitare janë listat e hapura, një prag zgjedhor i pranueshëm, garantimi i koalicioneve dhe masa më të rrepta ligjore për shkeljet e krimet zgjedhore.

Gjithashtu, kërkoi që ky kuadër ligjor të mundësojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira, në rastin e një qeverie teknike apo kujdestare.

Ne ftojmë dhe njëherë të gjitha forcat politike që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, ftojmë të gjithë faktorët, të bashkohemi për të paraqitur së bashku një kuadër ligjor demokratik, një kuadër ligjor i cili në rast të një qeverie teknike apo qeverie kujdestare, u jep mundësi shqiptarëve të votojnë të lirë. Barazon vlerën e votës së tyre. U jep mundësi të zgjedhin më të mirët që ata mendojnë.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.