Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka arkëtuar rreth 224.9 milionë lekë nga dhënia me qira e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara gjatë periudhës janar–tetor 2026, një rritje prej 25.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur të ardhurat ishin 179.7 milionë lekë. Në vlerë absolute, Agjencia ka arkëtuar rreth 45.2 milionë lekë më shumë se një vit më parë.
Sipas të dhënave të AAPSK, të ardhurat nga qiradhënia përbëjnë një instrument të rëndësishëm financiar në funksion të misionit të saj. Rritja e të ardhurave u konsiderua me rëndësi të veçantë, pasi këto fonde krijojnë mundësi për mbështetjen dhe fuqizimin e institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe për financimin e projekteve të ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara. Përmes këtyre mekanizmave, prona dhe asetet që më parë kanë qenë të lidhura me veprimtari kriminale synohet të vihen në shërbim të komuniteteve dhe të krijojnë përfitime konkrete sociale.
Analiza krahasuese mujore tregon se nëntë nga dhjetë muajt e parë të 2026-s kanë shënuar të ardhura më të larta se në të njëjtën periudhë të 2025-s. Rritja më e theksuar u regjistrua në maj, nga 14.1 milionë lekë në maj 2025 në 23.7 milionë lekë në maj 2026, me një zgjerim prej 67.6%. Një performancë e lartë u pa edhe në gusht, kur Agjencia arkëtoi 29 milionë lekë kundrejt 19.1 milionë lekëve një vit më parë.
Rezultatet e dhjetëmujorit tregojnë se qiradhënia po gjeneron një fluks më të lartë të ardhurash për AAPSK-në: mesatarisht rreth 22.5 milionë lekë në muaj gjatë janar–tetor 2026, krahasuar me rreth 18 milionë lekë në muaj në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ky zhvillim tregohet si dëshmi e potencialit ekonomik të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara dhe krijon hapësira më të mëdha për financimin e nismave në funksion të interesit publik.
