Është ndarë nga jeta Prof. Dr. Ramazan H. Bogdani, akademik, studiues i folklorit dhe etnokoreografisë shqiptare, ish-valltar solist dhe koreograf në Filarmoninë Shqiptare dhe Teatrin e Operës dhe Baletit. Ai u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në artin dhe kulturën kombëtare.
Ramazan H. Bogdani lindi në Tiranë në vitin 1933. Studimet i kreu në Liceun Artistik “Jordan Misja” gjatë viteve 1948–1952, vijoi më pas në Institutin Pedagogjik dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani” dhe përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në degën e Etnografisë.
Nga viti 1950 deri në vitin 1967 punoi si valltar solist dhe koreograf në Filarmoninë Shqiptare dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e artit skenik shqiptar.
Në vitin 1967 nisi punën si punonjës shkencor në Institutin e Folklorit dhe më pas në Institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Veprimtarinë shkencore në këto institucione e vijoi deri në daljen në pension, duke iu kushtuar kërkimit, mbledhjes, dokumentimit dhe studimit të traditave muzikore e koreografike shqiptare.
Trashëgimia e tij shkencore dhe botuese është e pasur dhe përbën një kontribut të rëndësishëm për etnokoreologjinë shqiptare. Ndër veprat më të njohura të tij janë “Vallet e Lunxhërisë” (1995), “Gjurmime koreografike” (1995), “Vallëzimi popullor shqiptar: lirika” (1997), “Visare etnokoreografike: fshatrat e Tiranës” (2003), “Etnokoreografi kosovare hasjane” (2005) dhe “Etnokoreografi” (2008), mes botimeve të tjera.
Ndarja e tij nga jeta është një humbje për familjen, miqtë, kolegët dhe komunitetin artistik e shkencor shqiptar. Ramazan Bogdani i përkiste brezit të studiuesve dhe artistëve që ia kushtuan jetën ruajtjes, dokumentimit dhe pasurimit të trashëgimisë kulturore kombëtare.r.k





