Eksperti i sigurisë Avni Islami thotë se deklarata e zyrtarit serb synon të ruajë ndikimin e Beogradit në Kosovë dhe të mbajë të pandryshuar politikën ndaj institucioneve të vendit.
Reagimi i Islamit vjen pas kërkesës së Milovan Drecunit, kryesuesit të Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri në Serbi, drejtuar Listës Studentore. Drecun ka thënë se kjo listë duhet të vazhdojë ta mbështesë Listën Serbe në Kosovë edhe nëse vjen në pushtet. Islami vëren se Drecuni, i njohur për kundërshtimin e shtetësisë së Kosovës, synon të ruhet politika që e paraqet Listën Serbe si përfaqësuesen e vetme politike të serbëve në institucionet e Kosovës.
Të lidhura
None found
Drecuni e ka cilësuar Listën Serbe si “të vetmin përfaqësues politik legjitim të popullit serb” në institucionet e Kosovës, të cilat ai i quan institucione të përkohshme të vetëqeverisjes. Ai i ka bërë thirrje partisë të vazhdojë mbrojtjen e interesave të serbëve dhe të kundërshtojë zgjidhjet ligjore që, sipas tij, mund t’i dëmtojnë ata.
Sipas Islamit, ky qëndrim shkrin interesat e komunitetit serb në Kosovë me ato të Listës Serbe dhe e paraqet këtë parti si të vetmen që mund t’i mbrojë.
Në një postim në Facebook, Islami ka thënë se deklarata synon t’i lidhë interesat e komunitetit serb në Republikën e Kosovës me Listën Serbe, duke e portretizuar këtë të fundit si të vetmen forcë politike që i mbron.
Ai thekson se kjo qasje duhet shqyrtuar edhe në aspektin e sigurisë kombëtare, sidomos për sa i përket ndikimit politik të Beogradit dhe përdorimit politik të përfaqësimit të komunitetit serb në Kosovë.
Islami e sheh kërkesën e Drecunit, si dhe deklaratat e përfaqësuesve të tjerë të nacionalizmit serb, mes tyre Veljko Odaloviq, si përpjekje për të vazhduar politikën e Serbisë ndaj Kosovës, pavarësisht ndryshimeve të mundshme në pushtetin në Beograd.
Ai vlerëson se Lista Serbe nuk ka ndihmuar integrimin e plotë institucional të komunitetit serb, por është shfrytëzuar për synime politike të Beogradit dhe, sipas tij, ka penguar funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Islami përfundon se shqetësimi nuk lidhet vetëm me vazhdimin e mbështetjes politike për Listën Serbe, por edhe me rrezikun e vijimit të një strategjie ndikimi dhe destabilizimi nga brenda, që sipas tij prek sovranitetin, rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.



