Google sjell syzet e reja me AI, por ka diçka që ato nuk lejohen ta shohin
Google dhe Samsung po sjellin një risi të rëndësishme në botën e syzeve inteligjente, duke prezantuar teknologji që synon të mbrojë privatësinë e njerëzve nga fotografimi dhe regjistrimi pa dijeninë e tyre.
Syzet e reja Android XR, të zhvilluara nga Samsung në bashkëpunim me Warby Parker dhe Gentle Monster, do të përdorin Al për të turbulluar automatikisht fytyrat e njerëzve në pamjet që dërgohen për përpunim në serverët e Google.
Sipas Shahram Izadi, drejtues i platformës Android XR në Google, kjo teknologji është krijuar për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme rreth privatësisë.
Kur përdoruesi i kërkon asistentit Gemini të përkthejë një tabelë apo të identifikojë një objekt, fytyrat e personave që ndodhen në pamje do të turbullohen përpara se imazhi të dërgohet për përpunim.
Google ka konfirmuar gjithashtu se fotografitë dhe videot e përdorura gjatë këtyre kërkesave nuk do të ruhen në historikun e Gemini dhe nuk do të përdoren për trajnimin e Al apo personalizimin e reklamave.
Një tjetër masë sigurie është drita LED në pjesën e përparme të syzeve, e cila sinjalizon kur kamera është aktive. Nëse kjo dritë mbulohet ose çaktivizohet, kamera nuk do të funksionojë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se asnjë sistem nuk garanton mbrojtje të plotë, pasi teknologjia mund të mos arrijë t'i identifikojë dhe turbullojë të gjitha fytyrat.
Syzet Samsung Intelligent Eyewear tashmë janë në dispozicion për porositje paraprake, me çmime që fillojnë nga 395 dollarë.
Ato përfshijnë kamerë ultra të gjerë 12 megapikselë, altoparlantë, mikrofon dhe bateri me autonomi deri në nëntë orë. Dërgesat e para në SHBA dhe Korenë e Jugut pritet të nisin më 10 dhjetor 2026.
Me këto masa, Google synon t'i bëjë syzet inteligjente më të sigurta për përdoruesit dhe njerëzit që ndodhen përreth tyre. /Telegrafi/




























