Java Globale e Sipërmarrjes 2026 në Shqipëri zhvillohet nga 16 deri më 22 nëntor nën moton “Ndërto nga Shqipëria”. Edicioni i katërt, i organizuar nga Startup Albania, pjesë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, sjell rreth 40 aktivitete të përqendruara në Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë, me synimin e krijimit të mundësive për bashkëpunim, investime dhe zhvillimin e ideve të reja të biznesit.
Java funksionon si një platformë strategjike bashkëpunimi që lidh politikat ekonomike kombëtare me tërheqjen e kapitalit, nxit përfshirjen rajonale dhe globale dhe promovon zhvillimin e aftësive të së ardhmes. GEW (Global Entrepreneurship Week) është një lëvizje globale në mbi 200 vende, dhe edicioni ndërkombëtar i këtij viti zhvillohet nën temën “Entrepreneurs Thrive Here”, që thekson rëndësinë e një mjedisi mbështetës për sipërmarrësit.
Programi i GEW Albania 2026 ndërtohet mbi katër shtylla të ndërlidhura: Politikat (mjedis mbështetës për sipërmarrjen dhe inovacionin), Ekosistemi (bashkëpunim, investime dhe ndërkombëtarizim), Gjithëpërfshirja (zgjerimi i mundësive dhe pjesëmarrjes në të gjithë vendin) dhe Edukimi (njohuri, aftësi dhe shkëmbim përvojash).
Përmes konferencave, workshop-eve, masterclass-eve, trajnimeve, sesioneve informuese dhe takimeve me ekspertë ndërkombëtarë dhe investitorë, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen me alternativa financimi, të zhvillojnë aftësi të reja, të eksplorojnë potencialin e teknologjive të reja dhe të krijojnë kontakte me aktorë të ekosistemit. Programi përfshin fusha si inteligjenca artificiale, transformimi digjital i sektorit publik, investimet, rritja e qëndrueshme e startup-eve, siguria e informacionit dhe mbrojtja e të dhënave, si dhe sektorë të tjerë si shëndetësia, energjia e gjelbër, ndërtimi dhe zhvillimi urban. Do të krijohen hapësira për bashkëpunim mes sektorit privat, korporatave, institucioneve dhe universiteteve.
Disa evente kryesore të javës përfshijnë nisjen “Ndërto nga Shqipëria”, konferencën rajonale “Inovacioni në Ballkanin Perëndimor”, lançimin e platformës digjitale të Startup Albania “Akademia e Sipërmarrjes”, sesionin “IA dhe inovacioni në sektorin publik” dhe konkursin rinor për Inteligjencën Artificiale “Sprint2Pilot” (https://sprint2pilot.com/). Programi i plotë, me data, orare dhe vendndodhje, gjendet në faqen zyrtare www.startupalbania.gov.al. GEW Albania 2026 organizohet nga Startup Albania me autorizimin e Global Entrepreneurship Network (GEN).
