Ka ndërruar jetë sot në moshën 92-vjeçare shkrimtari dhe studiuesi i njohur i etnomuzikologjisë dhe etnokoreografisë, Ramazan Bogdani.

Bogdani, i cili mban titullin ‘Mjeshtër i Madh’, dha një kontribut të çmuar në studimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore jo materiale shqiptare ne fushen e valleve dhe te vallezimit popullor.

Prof. dr. Ramazan H. Bogdani lindi në Tiranë në vitin 1933. Ai kreu studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1948–1952), vijoi më pas në Institutin Pedagogjik dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani” dhe përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku u diplomua në degën e Etnografisë.

Veprimtarinë e tij artistike e nisi që në moshë të re. Nga viti 1950 deri në vitin 1967 punoi si valltar solist dhe koreograf në Filarmoninë Shqiptare dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e artit skenik shqiptar. Grupi përfaqësoi me dinjitet kulturën shqiptare në skenat ndërkombëtare, duke u vlerësuar me dhjetëra çmime dhe vlerësime në turnetë dhe festivalet e zhvilluara jashtë vendit.

Në vitin 1967 nisi punën si punonjës shkencor në Institutin e Folklorit dhe më pas në Institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Veprimtaria e tij shkencore në këto institucione vijoi deri në daljen në pension. Gjatë kësaj periudhe ai iu kushtua kërkimit shkencor, mbledhjes, dokumentimit dhe studimit të traditave muzikore e koreografike shqiptare.

Trashëgimia e tij shkencore dhe botuese është e pasur dhe përbën një kontribut të rëndësishëm për etnokoreologjinë shqiptare. Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Vallet e Lunxhërisë” (1995), “Gjurmime koreografike” (1995), “Vallëzimi popullor shqiptar: lirika” (1997), “Visare etnokoreografike: fshatrat e Tiranës” (2003), “Etnokoreografi kosovare hasjane” (2005) dhe “Etnokoreografi” (2008) etj.

Përkushtimi, puna kërkimore dhe kontributi i tij shumëvjeçar në dokumentimin dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore shqiptare do të mbeten një vlerë e çmuar për studiuesit, artistët dhe brezat e ardhshëm.

Me ndarjen e prof.dr. Ramazan Bogdanit nga jeta, kultura shqiptare humbet një prej studiuesve dhe personaliteteve të rëndësishme të trashëgimisë sonë folklorike, i cili ia kushtoi jetën ruajtjes, studimit dhe promovimit të vlerave të muzikës e të valleve tradicionale shqiptare.

Vepra dhe kujtimi i tij do të mbeten pjesë e çmuar e trashëgimisë sonë kulturore kombëtare. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë më 16 nëntor 2026

Ceremonia mortore do të zhvillohet në ambientet e “Funeral Home Alba 2000”, në Rrugën e Durrësit, pranë ish-Ambasadës Jugosllave. Varrimi do të bëhet të martën, më 17 nëntor 2026, në orën 12:00, në varrezat e Sharrës.

Vizitat për ngushëllime do të priten të mërkurën dhe të enjten, në oraret 10:00–13:00 dhe 17:00–20:00, në ambientet e “Funeral Home Alba 2000”.