E hënë, 16 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Petro Koçi ‘shpërthen’ ndaj Ramës: Përjashto të korruptuarit, jo Spiropalin dhe Ndrecën
Lajme

Petro Koçi ‘shpërthen’ ndaj Ramës: Përjashto të korruptuarit, jo Spiropalin dhe Ndrecën

Ish-deputeti socialist Petro Koçi ka reaguar ashpër pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku u kërkua përjashtimi i Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet e partisë. Koçi e konsideron këtë vendim të tepruar dhe juridikisht të pavlefshëm nëse nuk është ndjekur procedura e përcaktuar në Statutin e PS-së.

Në një reagim publik, ai kritikon mënyrën se si u trajtua çështja e dy figurave socialiste, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtimit të partisë. Sipas tij, një forcë politike duhet të funksionojë mbi bazën e rregullave statutore dhe jo sipas vullnetit të kryetarit apo sekretarit të përgjithshëm.

Duke komentuar rastin e Elisa Spiropalit, Koçi pranon se disa prej qëndrimeve të saj mund të jenë konsideruar problematike nga një pjesë e socialistëve, por thekson se kjo nuk justifikon përjashtimin e saj. Ai vlerëson se masa e propozuar ishte e tepruar dhe dëmtuese për Partinë Socialiste, e cila, sipas tij, duhet ta ndërtojë unitetin mbi besimin dhe bindjen politike dhe jo mbi frikën nga ndëshkimi.

Kritikë ka edhe për mënyrën se si u trajtua Plarent Ndreca. Koçi rikujton angazhimin e tij në krye të Komisionit Hetimor për koncesionet në shëndetësi, duke e cilësuar të pakuptimtë mënyrën se si është vepruar ndaj tij.

Ish-deputeti socialist ngre gjithashtu pikëpyetje mbi vlefshmërinë e përjashtimit të pretenduar të dy anëtarëve të PS-së. Sipas tij, nëse propozimi nuk është miratuar përmes një votimi institucional, ai nuk mund të konsiderohet vendim i vlefshëm. Koçi kujton se Statuti parashikon që deputetët janë anëtarë ex officio të Asamblesë Kombëtare.

Por kritika më e fortë e tij lidhet me mënyrën se si Partia Socialiste duhet të përballet me korrupsionin. Koçi shprehet se një lajm shumë më i mirë do të ishte marrja e masave ndaj personave të cilët përballen me procese penale, duke kërkuar që ata të largohen të paktën përkohësisht nga strukturat drejtuese të partisë.

Sipas tij, ky standard duhet të jetë i detyrueshëm për një forcë politike që pretendon se lufton korrupsionin. Ai nënvizon se një masë e tillë nuk do të përbënte cenim të prezumimit të pafajësisë, por një standard politik dhe etik që duhet të zbatohet nga vetë partia.

Në reagimin e tij, Koçi apelon edhe për shmangien e përçarjeve brenda PS-së, duke kritikuar ndarjen e anëtarëve në kampe që mbrojnë pa kushte kryetarin dhe të tjerë që sulmojnë drejtuesit e partisë. Sipas tij, në prag të zgjedhjeve vendore, socialistët kanë nevojë për qartësi dhe bashkim mbi parime të përbashkëta, ndërsa kritikat konstruktive duhet të konsiderohen të dobishme për shëndetin politik të partisë.

Ish-deputeti ndalet edhe te protestat kundër qeverisë. Ai vlerëson se në fillimet e tyre, gjatë muajit qershor, ato përfaqësonin një reagim qytetar me karakter europian. Megjithatë, sipas tij, episodet e dhunës dhe plaçkitjes të ndodhura më vonë kanë dëmtuar imazhin e protestës dhe kanë cenuar mbështetjen e saj popullore.

Koçi kundërshton ndryshimin e pushtetit përmes presionit jashtëinstitucional, duke theksuar se qeveritë ndërrohen përmes votës dhe jo në tavolinë. Ai kritikon gjithashtu mungesën e një vizioni dhe lidershipi të qartë të protestës, ndërsa e konsideron ndikimin politik të Sali Berishës si një prapakthim për objektivat që pretendohet se synon kjo lëvizje.

Në përfundim, Koçi përmend disa prej rezultateve që, sipas tij, janë arritur si pasojë e presionit qytetar, përfshirë uljen e TVSH-së për ushqimet, heqjen e taksës së qarkullimit për karburantet dhe premtimin për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë.

Ai kërkon që këto masa të shoqërohen me hapa të tjerë, si rritja e pagave për pedagogët dhe investimet në ambiente sportive për fëmijët dhe të rinjtë, në vend të përqendrimit te ndërtimi i kullave.

Reagimi i plotë:

Modestisht per Asamblene:
1. Lajmi me i mire e ndofta i vetmi si i tille ishte caktimi i Ervin Demos dhe Albana Kociut ne drejtimin e PS per bashkine e kryeqytetit. Do te doja qe ky akt te kurorezohej nepermjet mje procesi zgjedhor, por ne gjykimin tim ata, ne perberjen aktuale te lidershipit te PS perfaqesojne zgjidhjen me te qelluar ne konsiderate te pervojes, zotesise e mbi te gjitha te integritetit.
Te dy koleget, bashke me Erion Braçen perbejne ndofta kapitalin njerezor me te arrire nga i cili do te perzgjidhet kandidatura perfundimtare per Kryetar bashkie ne garen e zgjedhjeve vendore qe po troket.
2. Lajmi me i keq ishte propozimi e pastaj pretendimi se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca qenkeshin perjashtuar nga forumet e PSSH.
Qasja disiplinore kerkon argumentim te plote dhe te bazuar ne Statutin e partise. Parti e vertete eshte ajo ne te cilen Statuti eshte me i forte se Kryetari apo Sekretari i Pergjithshem. Perndryshe koncepti institucional parti shkermoqet. Eshte e vertete qe Elisa ka dale ne mexhlis me disa qendrime te konsideruara problematike nga nje pjese me peshe e opinionit socialist. Mund te kene qene ato qendrime te motivuara nga iluzione apo emocione te shkaktuara nga tensionet shpesh panikndjellese te protestave. Qendrimet e saj mund te vijne ne nje pjese te tyre nga menyra sesi ajo u perndoq nga qeveria. Arsyet me mire se une i di vete ajo. Une thjesht arsyetoj me supozime.
Por propozimi per perjashtim ishte i tepert dhe demprures.
PS se nuk i intereson nje unitet i bazuar te frika, por nje unitet i bazuar ne besim dhe bindje politike te vertete.
Ne fund te fundit Elisa nuk eshte Marjana Koçeku per perzgjedhjen e te ciles nuk mbajti askush pergjegjesi.
Rasti e Plarentit eshte edhe me pa kuptim. E kujtoj Plarentin ne krye te Komisionit Hetimor per Koncesionet ne Shendetesi. Ishte gati heroik ne perballimin e nje procesi qe vetem parlamentar nuk mund te quhej dhe qe bazohej ne nje platforme si ato te Pleniumeve te PP.
3. Perjashtimi nga forumet me rastin e te shtunes eshte nje pretendim nul. Nese propozimi nuk eshte votuar institucionalisht ai nuk validohet dot.
Statuti eshte shume i qarte me kesi rastesh.
4. Ne baze te Statutit deputeti eshte ex oficio anetar i Asamblese Kombetare. Statuti nuk ka percaktim ndryshe. Nese Elisa eshte anetare e Grupit Socialist ajo automatikisht eshte ne Asamble. Nuk besoj se do cmendej partia e ta perjashtonte nga grupi.
5. Do te ishte lajm i shkelqyer akti i pritshem i perjashtimit te ndonje te korruptuari. Standarti i largimit te pakten perkohesisht i personave ndaj te cileve ka filluar proces penal duhet te jete perhere i detyrueshem per nje parti qe pretendon lufte ndaj korrupsionit. Kjo nuk do te thote qe hiqet dore nga prezumimi i pafajesise.
6. Partia socialiste nuk ka nevoje qe anetaret e saj te ndahen ne facebook ne grupe ku disa perbetohen per Kryetarin e mallkojne plangprishesit e te tjere qe mallkojne Kryetarin e levdojne kritizeret.
Jemi pak muaj para zgjedhjeve. Kerkohet qartesi dhe bashkim parimor forcash. Kritikat konstruktive i bejne mire shendetit politik te PS.
7. Protestat ne fillimet e veta te qershorit ishin me shume se simpatike. Ato i dhane ngjyre europiane vemendjes dhe reagimit te publikut ndaj zhvillimeve politike.
Por fenomenet e dhunes e plackitjes qe ndodhen kohet e fundit e rrezuan qytetarine fillestare dhe e kompromentuan perkrahjen popullore.
Pushteti nderrohet me vote. Jo ne tavoline.
Nderkohe protestes i mungon vizioni dhe lidershipi.
Vizioni dhe lidershipi berishian perbejne prapakthim dhe e fundosin qellimin e supozuar progresist te protestes.
Permbysja revolucionare e synuar bie ndesh me pershpejtimin e procesit te integrimit europian.
Protesta i ka arritur disa suksese, ulja e tvsh se per ushqimet, heqja e takses se qarkullimit nga karburanti, premtimi per rritje pagash per policine etj.
Keto duhen shoqeruar me hapa te tjere si psh rritja e pagave per pedagoget, ndertimi i ambienteve sportive per rinine e femijet ne vend te kullave etj.
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.