Saranda ka pritur mëngjesin e sotëm për herë të parë kroçerën luksoze EXPLORA II, me 729 turistë në bord. Anija, e ardhur nga Bari i Italisë, është ankoruar në gjirin e Sarandës, duke e çuar në 32 numrin e ndalesave të kroçerave në këtë qytet gjatë vitit 2026.

Pas mbërritjes, turistët kanë nisur të zbarkojnë me varkat e anijes. Një pjesë e tyre kanë zgjedhur të vizitojnë Sarandën, ndërsa grupe të tjera janë nisur drejt Butrintit, Syrit të Kaltër dhe qytetit të gurtë të Gjirokastrës.

Në bord ndodhen turistë nga vende të ndryshme të botës, mes tyre Austria, Australia, Belgjika, Kanadaja, Kosta Rika, Gjermania, Peruja, Zimbabveja, Serbia dhe Afrika e Jugut.

Kroçera EXPLORA II është 248 metra e gjatë dhe ka 461 suita. Ajo është ndërtuar në Itali nga kompania Fincantieri dhe i është dorëzuar në shtator të vitit 2024 kompanisë Explora Journeys, pjesë e grupit MSC.

Sipas itinerarit, kroçera pritet të largohet nga Saranda në orën 19:00. Pas një dite lundrimi në det, ndalesa e radhës është parashikuar në Santorini më 18 nëntor, ndërsa më 19 nëntor anija pritet të mbërrijë në portin e Pireut, në Greqi.