UEFA po shqyrton një emër të bujshëm për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s. Bëhet fjalë për legjendën e futbollit portugez, Luis Figo, i cili mund të jetë kandidati i propozuar nga drejtuesit e futbollit evropian për të marrë drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Me afrimin e afatit për dorëzimin e kandidaturave zyrtare, UEFA duket se ende nuk ka vendosur se kujt do t’i besojë këtë mision. Fillimisht, në qarqet drejtuese ishte diskutuar mundësia e kandidimit të Arsene Wenger, por trajneri legjendar francez nuk e pranoi këtë ide.
Në këto rrethana, në skenë ka dalë emri i Luis Figos. Ish-futbollisti i Barcelonës, Real Madridit dhe Interit gëzon një reputacion të rëndësishëm në futbollin ndërkombëtar dhe shihet si një figurë me peshë për të sfiduar garën presidenciale.
Megjithatë, sipas raportimeve, propozimi për portugezin nuk ka marrë ende mbështetjen e plotë brenda UEFA-s. Brenda organizatës evropiane vijojnë diskutimet dhe konsultimet për të gjetur kandidatin që mund të bashkojë sa më shumë federata.
Orët dhe ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për strategjinë e UEFA-s. Zgjedhja e kandidatit mund të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e garës për presidencën e FIFA-s dhe në të ardhmen e drejtimit të futbollit botëror.
