Çdo fitore të bën të lumtur, aq më tepër kur të jep vendin e parë.
Rolando Maran ishte pikërisht kështu, në qiellin e shtatë, ndërsa Shqipëria e drejtuar prej tij kaloi me sukses provën e fundit në Ligën e Kombeve.
Pas suksesit në Bjellorusi, trajneri i kombëtares së pari pati një mesazh për lojtarët e tij.
“Së pari përgëzoj skuadrën sepse suksesi është së pari i atyre që dalin në fushë. Mendoj se skuadra e nisi ndeshjen duke punuar fort dhe kjo u pa. Ne jemi rritur vazhdimisht, nga ndeshja e parë deri tani, dhe duke qenë e ndërgjegjshme për atë që kërkohej nga ne. Rritja ishte e përgjithshme, sepse ndryshe nuk mund t’i kishim këto statistika. Janë arritje tepër të rëndësishme dhe kjo flet shumë për atë që kemi bërë. Jam i kënaqur që kemi krijuar lidhje me tifozët dhe kemi fituar besimin e tyre, gjë që e bën më të madh suksesin tonë. Jam i lumtur që ia shpërbleva besimin presidentit që më dha mundësinë duke më zgjedhur në këtë detyrë. Ky ishte objektivi ynë i parë”, tha Maran.
Tashmë mund të themi se kjo është skuadra e Maranit.
“Patjetër që po. Ekipi është tashmë i imi. Nëse nuk do të ishte kështu, nëse nuk do të kishim këtë identitet, nuk do t’ia kishim dalë. Ky identitet është përmirësuar hap pas hapi, dhe lojtarët që janë alternuar në këto ndeshje arritën që të jepnin të gjithë një kontribut të madh. Pra, të gjithë e kanë kuptuar atë që kërkoj. Duhet të falënderoj stafin tim, që më ka mbështetur siç duhet, prandaj arritëm rezultatet. Ky është maksimumi për një trajner, pra që ekipi të luajë futboll dhe të rritet sipas filozofisë së trajnerit”, tha trajneri i kombëtares.
Italiani tregoi edhe se çfarë u tha lojtarëve para dhe pas ndeshjes.
“Përpara ndeshjes u thashë lojtarëve që e meritonin fitoren dhe vendin e parë në grup, por që do të ishte e vështirë për ta mbajtur nëse nuk do të luanim me mentalitetin e duhur. Më pas, i përgëzova për fitoren sepse përveç suksesit bënë krenarë edhe tifozët. Kjo ishte diçka e madhe. Ky është vetëm objektivi i parë, është vetëm fillimi, por nëse vazhdojmë kështu, mund të rritemi edhe më shumë”, shtoi më tej Maran.
Tashmë, vëmendja është tek shorti i eliminatoreve të Europianit.
“Shpresoj që kjo fitore të na ndihmojë për të pasur një grup më të mirë në eliminatoret e Europianit. Le të presim për të parë se çfarë do të ndodhë në short dhe pastaj do të bëjmë komentet tona. Për momentin është e rëndësishme që për disa orë do të festojmë këtë fitore, dhe pastaj do të përqendrohemi tek e ardhmja. Kur fiton është e drejtë të festosh, sepse kur feston kjo të mbetet në kujtesë dhe kërkon që të festosh edhe në të ardhmen. Unë nuk e kam të lehtë të ndryshoj sjelljen, por pas këtij suksesi jam i lumtur”, përfundoi ai.

