Nëntë të arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit në Tiranë, njëri prej tyre kreu manovra të rrezikshme në sheshin “Skënderbej”

16/11/2026 13:05

Nëntë persona janë arrestuar dhe 21 të tjerë janë proceduar penalisht nga Policia Rrugore e Tiranës, në kuadër të kontrolleve të shtuara për sigurinë në qarkullim.

Gjatë ditëve të fundit janë konstatuar dhe ndëshkuar administrativisht 4384 shkelje rrugore, ndërsa mes rasteve të evidentuara është edhe ai i një drejtuesi motomjeti që kreu manovra të rrezikshme në sheshin “Skënderbej”, gjatë zhvillimit të Maratonës së Tiranës.

“Policia Rrugore e Tiranës/9 shtetas në pranga, 21 shtetas të proceduar penalisht dhe 4384 shkelje rrugore të ndëshkuara administrativisht, si rezultat i monitorimit, ditët e fundit, me mjete bashkëkohore.

Njëri prej të arrestuarve kreu manovra të rrezikshme me motomjetin që drejtonte pa leje dhe në efektin e lëndëve narkotike, në sheshin “Skënderbej”, gjatë kohës që po zhvillohej “Ëizz Air Tirana Marathon”.

8 të arrestuarit e tjerë dhe 21 të proceduarit drejtonin mjetet, në efektin e alkoolit.

Gjithashtu prioritet, monitorimi i akseve në afërsi të shkolla, për të garantuar sigurinë dhe përparësinë e nxënësve.

Gjatë monitorimit permanent, në të gjitha akset e kryeqytetit, në pikat hyrëse/dalëse dhe në afërsi të institucioneve arsimore, me mjete bashkëkohore, me qëllime parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore, u konstatuan dhe u ndëshkuan 4384 shkelje. Konkretisht:

-3780 drejtues u ndëshkuan për ndalim, pushim ose qëndrim të gabuar të mjetit;

-159 drejtues u ndëshkuan për pozicionim të gabuar të mjetit në korsi;

-103 shtetas u ndëshkuan për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit;

-123 drejtues mjetesh u ndëshkuan për mosvendosje të rripit të sigurimit;

-176 drejtues motomjetesh u ndëshkuan për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;

-43 mjete u bllokuan.

Policia Rrugore e Tiranës apelon sërish, për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe për shmangien e sjelljeve që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës”, shkruan Policia.

Top Channel