385 mln euro për rrugët në 2027, Tiranë-Durrës, Tiranë-Ndroq-Plepa dhe “By-pass-i” i Elbasanit me financim nga Buxheti i Shtetit
Buxheti i vitit 2027 parashikon 385 milion euro për infrastrukturën rrugore, me synim vijimin e projekteve madhore dhe përmirësimin e lidhjeve mes rajoneve më të populluara të vendit. Autostrada Tiranë–Durrës, aksi Tiranë–Ndroq–Plepa dhe Bypassi i Elbasanit janë tre projektet që do të financohen nga Buxheti i Shtetit.
“Është Tiranë Durrës që do të bëhet me tre korsi. Tjetri që përfundon është rruga paralele Tiranë-Ndroq-Plepa. Do të përfundojë rruga që mënjanon qytetin e Elbasanit”, tha eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli.
Ndryshimi i skemës së financimit synon të sigurojë vijimësinë e punimeve dhe të shmangë pengesat që mund të krijohen nga kufizimet financiare.
“E kemi të domosdoshme realisht sepse Tiranë-Durrës mbulon tashmë më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit. Janë 1.2 mln banorë. Kështu që mendoj se aty paratë e nxjerrin shumë shpejt veten. Është mirë që në mungesë të parave të donatorëve ta bëjmë me paratë nga taksat tona”, u shpreh Çoçoli.
Investimet do të shtrihen edhe në projekte të tjera lokale dhe kombëtare. zonën e Kamzës.
“Shmangja e Kamzës në krahun verior të Tiranës do të fillojë, por nuk mbaron brenda vitit të ardhshëm si dhe pjesa verilindore që ndihmon shumë në lidhjen e Tiranës drejtpërsëdrejti me rrugën e Arbërit”, theksoi Çoçoli.
Ndërkohë, Korridori VIII dhe ai Blu mbeten ndër prioritetet kryesore infrastrukturore, me synimin për të përshpejtuar realizimin e këtyre akseve strategjike.
Gazetar: H. Mahmutaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



