Policia Rrugore e Tiranës ka bërë bilancin e arrestimeve që ka kryer ditët e fundit. Në pranga kanë 9 persona ndërsa në gjendje të lirë do të hetohen edhe 21 të tjerë.

Mes të arrestuarve është edhe një person që një ditë më parë kreu manovra të rrezikshme me motomjetin që drejtonte pa leje dhe në efektin e lëndëve narkotike, në sheshin “Skënderbej”, gjatë kohës që po zhvillohej “Wizz Air Tirana Marathon”.

Sa i përket gjobave gjatë kësaj jave, blutë bëjnë me dije se kanë vendosur 4384 gjoba për shkeje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Njoftimi i policisë:

9 shtetas në pranga, 21 shtetas të proceduar penalisht dhe 4384 shkelje rrugore të ndëshkuara administrativisht, si rezultat i monitorimit, ditët e fundit, me mjete bashkëkohore.

Njëri prej të arrestuarve kreu manovra të rrezikshme me motomjetin që drejtonte pa leje dhe në efektin e lëndëve narkotike, në sheshin “Skënderbej”, gjatë kohës që po zhvillohej “Wizz Air Tirana Marathon”.

8 të arrestuarit e tjerë dhe 21 të proceduarit drejtonin mjetet, në efektin e alkoolit.

Gjithashtu prioritet, monitorimi i akseve në afërsi të shkolla, për të garantuar sigurinë dhe përparësinë e nxënësve.

Gjatë monitorimit permanent, në të gjitha akset e kryeqytetit, në pikat hyrëse/dalëse dhe në afërsi të institucioneve arsimore, me mjete bashkëkohore, me qëllime parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore, u konstatuan dhe u ndëshkuan 4384 shkelje. Konkretisht:

-3780 drejtues u ndëshkuan për ndalim, pushim ose qëndrim të gabuar të mjetit;

-159 drejtues u ndëshkuan për pozicionim të gabuar të mjetit në korsi;

-103 shtetas u ndëshkuan për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit;

-123 drejtues mjetesh u ndëshkuan për mosvendosje të rripit të sigurimit;

-176 drejtues motomjetesh u ndëshkuan për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;

-43 mjete u bllokuan.

Policia Rrugore e Tiranës apelon sërish, për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe për shmangien e sjelljeve që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës.