Zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, pas largimit të Elisa Spiropalit nga strukturat drejtuese, janë bërë shkak për përplasje të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës në Komisionin Parlamentar për Kulturën.

Deputetja demokrate Ina Zhupa ka ironizuar vendimet e fundit të socialistëve, duke i krahasuar me praktikat e regjimit komunist dhe mënyrën se si Partia e Punës shpallte kundërshtarët e saj të brendshëm.

Gjatë fjalës së saj, Zhupa ngriti pikëpyetje mbi respektimin e statutit të PS-së, duke argumentuar se Elisa Spiropali, për shkak të funksionit të saj si ish-kryetare e Kuvendit, gëzonte të drejtën e anëtarësimit në Asamblenë Socialiste.

“Erdhët të qeshur pas vakisë së të shtunës. Si pleniumet e Partisë së Punës. Udhëheqësi shpalli armiqtë e brendshëm. Pa atë ju jeni, siç e tha ai, se nuk na e zë goja. Pasi nuk respektoni ligjet e Kushtetutën e vendit, shkelet dhe statutin tuaj. Përjashtuat ish-kryetaren e Kuvendit që është ex officio anëtare e Asamblesë. Po siç e ka thënë ai që ju frymëzon juve: ‘Pse ligjet tona do na pengojnë ne?’”, deklaroi Zhupa.

Deputetja e PD-së e lidhi gjithashtu situatën politike me protestën e paralajmëruar të opozitës më 28 nëntor, duke theksuar se qytetarët do të kërkojnë largimin e qeverisë.

“Kudo që të shkoni do keni nga pas protestën popullore. Ju pret 28 nëntori, protesta ku populli do të vijë kundër pushtuesit në karrigen e pushtetit. Reflektoni para se t’u vijë radha për t’ju përjashtuar juve”, u shpreh ajo.

Deklaratat e Zhupës sollën reagimin e deputetes socialiste Brisida Çakërri, e cila i kërkoi përfaqësueses së opozitës të mos merrej me organizimin e brendshëm të Partisë Socialiste, por të përqendrohej te çështjet që ishin në rendin e ditës së komisionit.

“Kush ka kundërshtuar liderin tuaj, nuk di më ku është. Eja të merremi me rendin e ditës për të cilën paguhemi sot. Nuk jemi këtu për kush hyri e kush doli nga partia”, iu kundërpërgjigj Çakërri.

Zhupa reagoi sërish, duke theksuar se shqetësimi i opozitës nuk lidhet me përplasjet apo përjashtimet brenda PS-së, por me faktin që kjo forcë politike drejton vendin.

“Siç ka thënë Edi Rama, kokat e njëri-tjetrit hëngshi. Por ne nuk shqetësohemi për PS, por faktin se kjo parti mban pushtetin dhe keqqeveris”, deklaroi deputetja demokrate.

Në shkëmbimin e replikave ndërhyri edhe deputetja socialiste Evis Kushi, e cila i sugjeroi opozitës të përqendrohej fillimisht te problemet e saj të brendshme, përpara se të komentonte zhvillimet në kampin socialist.

“Merruni me demokratët se i keni lënë jetimë, në mes të rrugës. Pastaj me statutin e PS”, u shpreh Kushi.