Monday / November 16 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
200 kompanitë me fitime më të mëdha, 2025 Renditja e kompanive 2025

Televizionet, pas “Klan”, edhe “Top Channel” hyn në listën e 200 më të mëdhenjve për fitimet

Share Share Icon

Të ardhurat e 10 televizioneve kryesore në vend arritën në rreth 6.8 miliardë lekë në vitin 2025, apo në rreth 70 milionë euro, sipas bilanceve zyrtare.

Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat shënuan rritje të lehtë me 3%, pas rënies me 0.5% në 2024-n, por larg ritmeve dyshifrore të zgjerimit prej 14% në vitin 2023.

Dy televizionet më të mëdha “TV Klan” dhe “Top Channel” vijojnë të dominojnë dukshëm skenën e ekranit, duke marrë të dyja së bashku 63% të tregut në vitin 2025.

Nga 9 televizionet që i kanë raportuar bilancet e 2025-s, vetëm dy prej tyre kanë shënuar rënie të të ardhurave, ndërsa të tjerat kanë arritur të rriten lehtë me ritme njëshifrore.

Ndonëse mund të kenë ndikim përmes audiencës, televizionet, sidomos ato të lajmeve, nuk rezultojnë një biznes fitimprurës, me përjashtim të dy të mëdhenjve.

Në vitin 2025, rezultati financiar i 9 televizioneve ishte vetëm 550 milionë lekë (më pak se 6 milionë euro), teksa katër prej tyre ishin me humbje.

Duke hequr televizionet me humbje, fitimet ishin 836 milionë lekë, me 87% të të cilave i përkasin “Klan” dhe “Top Channel”. Në krahasim me 2024-n, shumica e televizioneve i përmirësuan fitimet, që gjithsesi mbeten shumë të ulëta në raport me kapitalin që vihet në punë dhe të ardhurat.

Ndërsa “Klan” është prej vitesh pjesë e listës së “Monitor 200”, sipas fitimeve, për herë të parë në 2025-n, ka hyrë edhe “Top Channel”.

Prej vitesh tregu ka hyrë në ngërç, pasi kriza ekonomike dhe moshyrja e kompanive të reja në vend po ndikon buxhetet e reklamave dhe rrjedhimisht dhe të ardhurat e televizioneve.

Një tjetër ndikim ka ardhur nga zhvillimi i platformave digjitale, ku reklamuesit po kalojnë më shumë buxhet për të arritur audienca më të targetuara.

Biznesi i televizioneve duket se po konkurrohet ndjeshëm nga zhvendosja e reklamave në rrjetet sociale dhe në marketingun direkt që bëhet përmes influencuesve.

Më herët, Tatimet njoftuan se nisën hetimin ndaj 100 individëve/subjekteve për të ardhurat e përfituara nga platformat sociale. Bëhet fjalë për platformat Facebook; TikTok; YouTube; Instagram; Google; PayPal. Tatimet bënë të ditur se nga verifikimet paraprake dyshohet se janë rreth 33 milionë euro të padeklaruara.

Kjo shumë është 47% e të ardhurave që 10 televizionet gjeneruan në vitin 2024, me burimin kryesor që janë reklamat e bizneseve.

Problem është dhe mungesa e matjes së audiencës. “Megjithëse aktualisht mungojnë të dhënat zyrtare të publikuara mbi investimin total të publicitetit në mediat e ndryshme, përsëri është lehtësisht e dallueshme se tregu i mediave televizive përthith pjesën më të madhe të këtij investimi.

Ky fakt, e bën tregun e mediave televizive tërheqës nga pikëpamja e investitorëve, por në të njëjtën kohë ekzistojnë barriera si të karakterit rregullator ashtu edhe të karakterit financiar”, thuhet në raportin vjetor të “Top Channel”.

“Mungesa e një tregu të formuar, nxit parashikime teorike, ndërsa mungesa e matësve të audiencës rrit koston e segmentimit”, theksohet në raportin vjetor të “Vizion Plus”.

Tregu i televizioneve kërkon dhe investime të vazhdueshme, që nuk mundësohen nga të ardhurat dhe rentabiliteti i tij.

“Teknologjia e transmetimeve televizive përjeton një zhvillim shumë të shpejtë, i cili kërkon në mënyrë të vazhdueshme investime teknologjike, jo gjithmonë të përballueshme duke pasur parasysh karakteristikat e tregut shqiptar (popullsi e vogël, dhe të ardhura për frymë të ulëta në krahasim me vendet e Komunitetit Europian”, thuhet në raportin vjetor të “Top Channel”.

 

Burimi: QKB, përpunime të Monitor

 

“TV Klan” kryeson renditjen si televizioni më i madh në vend prej disa vitesh. Në vitin 2025, të ardhurat ishin 2.3 miliardë lekë, me rritje prej 3.2% me bazë vjetore.

Sipas raportit vjetor, burimi kryesor i të ardhurave mbetet transmetimi i spoteve publicitare në televizion (1,3 miliardë lekë), i ndjekur nga të ardhurat nga sinjali (309.0 milionë lekë), të ardhura të tjera televizive, blerja e kohës televizive, reklama në web dhe në platformën OTT, si dhe abonimet OTT.

Televizioni raportoi fitime prej 484 milionë lekësh, me rritje 56%, që sipas raportit erdhi kryesisht si rezultat i uljes së kostove për blerjen e të drejtave televizive dhe të shpenzimeve administrative.

“Top Channel” është i dyti më i madh në vend. Të ardhurat e televizionit ishin 1.95 miliardë lekë në 2025, me zgjerim prej 3.3% me bazë vjetore. Fitimet para taksave ishin 242 milionë lekë, me rritje prej 54%.

“Media Vizion” (Vizion Plus) raportoi të ardhura prej 655 milionë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm, pas rritjes dyshifrore të dy viteve të mëparshme. Fitimet mbetën minimale në 25 milionë lekë, nga 22 milionë lekë në 2024-n.

“TV A2”, i katërti më i madh në vend, nuk ka deklaruar ende bilanc për vitin 2025. Në 2024-n, të ardhurat ishin 446 milionë lekë, ndërsa fitimet 4.2 milionë lekë.

“ABC News” raportoi rritje të ardhurash me 29%, në 376 milionë lekë, pas rënies në 2024-n. Televizioni deklaroi për herë të parë një fitim prej 85 milionë lekësh.

“Report TV” (MTSC) deklaroi të ardhura prej 309 milionë lekësh, me rritje 6%. Televizioni raportoi humbje prej 18 milionë lekësh.

“News 24” ka raportuar rritje të të ardhurave me 6%, në 274 milionë lekë. Televizioni i lajmeve ka deklaruar humbje prej 114 milionë lekësh.

“EuroNews” ka deklaruar rënie të të ardhurave për të dytin vit radhazi, me 4.6%, në 185 milionë lekë. Kompania vijon të dalë me humbje që nga fillimi i aktivitetit, që në vitin 2025 ra në 109 milionë lekë, nga 139 milionë lekë në vitin 2024.

Televizioni “Scan”, me fokus në lajmet ekonomike, shënoi rritje të fortë të të ardhurave, me 46%, në 174 milionë lekë, ndërsa kaloi nga humbjet në fitim minimal.

“MCN TV” (Johaniteri) kishte një vit me rënie të të ardhurave, pas rritjes së fortë në 2024-n. Në vitin 2025, qarkullimi vjetor ishte 72 milionë lekë, me tkurrje prej rreth 33%, ndërsa vijon të deklarojë humbje, që arritën në 49 milionë lekë.

“Syri TV” nuk deklaron bilanc që nga viti 2023, kur të ardhurat ishin 13 milionë lekë. Tre televizione të tjera janë praktikisht të falimentuara, ndonëse vazhdojnë të transmetojnë sinjal: FAX NEWS (Fax Media News); TV ORA (“Ora” sh.a); ORA NEWS.

 

 

“DigitAlb” u rikthehet fitimeve

“DigitAlb” është platforma më e madhe e televizioneve me pagesë në vend.

Në vitin 2025, shoqëria raportoi të ardhura prej 3.3 miliardë lekësh, me tkurrje 4.2%, ndërsa përmirësoi ndjeshëm përfitueshmërinë. Shoqëria hyri sërish në listën e “Monitor” 200 sipas fitimeve në 2025-n, pasi kishte dalë prej saj më herët.

Fitimet para taksave arritën në 325 milionë lekë, duke u dhjetëfishuar në raport me vitin e mëparshëm.

Investimi në teknologji duket se ka rikthyer performancën e lartë të një modeli që bëri revolucion në tregun shqiptar të televizioneve, që kur doli për herë të parë me sinjal tokësor në vitin 2004.

Platformat OTT, që u prezantuan në vitin 2022, vijojnë të konsiderohen një nga drejtimet me potencial të lartë zhvillimi për “DigitAlb”, të mbështetura edhe nga kërkesa në rritje e tregut, sipas raportit të aktivitetit.

Këto platforma u mundësojnë përdoruesve të ndjekin programet në pajisje të ndryshme, si Smart TV, smartphone apo tablet, pa pasur nevojë për dekoder fizik.

Me aplikacionin OTT (Over the Top), “DigitAlb” synon të zgjerojë tregun jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, ndërsa sheh mundësi për të hyrë në tregun e Amerikës së Veriut. Diaspora konsiderohet dhe segmenti fitimprurës komercialisht.

Eglinor Ramaj, drejtor ekzekutiv i DigitAlb, thotë se kompania ka regjistruar ecuri pozitive në vitin 2025 dhe pjesës së parë të vitit 2026, e mbështetur nga investimet në përmbajtje dhe teknologji.

Sipas tij, konkurrenca në treg nuk përcaktohet më vetëm nga numri i kanaleve, por nga aftësia për t’u ofruar abonentëve përmbajtje cilësore, fleksibilitet dhe një eksperiencë të personalizuar.

“Kombinimi i një oferte të pasur me përmbajtje ekskluzive dhe investimeve të vazhdueshme në teknologji ka qenë faktori kryesor që ka ndikuar në performancën e kompanisë gjatë kësaj periudhe.

Ky është edhe drejtimi që do të vazhdojmë të ndjekim, për t’u ofruar abonentëve gjithmonë më shumë vlerë dhe një eksperiencë televizive në nivelin më të lartë”, pohon ai.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!