Reshje të dendura shiu dhe shtrëngata priten pasditen e kësaj të hëne në disa qarqe të vendit. Shkodra, Kukësi dhe Lezha janë zonat më të rrezikuara nga vërshimet e shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitjet e dherave.
Sipas Institutit të Gjeoshkencës, gjatë pasdites së sotme reshjet pritet të jenë me intensitet mesatar deri lokalisht intensiv në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Në këto qarqe reshjet do të shoqërohen edhe me shtrëngata, ndërsa në Vlorë parashikohen reshje me intensitet mesatar. Në pjesën tjetër të vendit, reshjet pritet të jenë të dobëta deri lokalisht mesatare.
Rrezik për përmbytje të lokalizuara ka edhe në zonat urbane të Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Durrësit dhe Elbasanit, në varësi të gjendjes së rrjeteve të kanalizimeve. Për të martën, 17 nëntor, parashikohen reshje të dobëta në të gjitha qarqet e vendit.
Temperaturat do të luhaten nga 14 deri në 19 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 12 deri në 20 gradë në zonat e ulëta dhe nga 6 deri në 15 gradë në zonat malore. Era do të fryjë me shpejtësi mesatare gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme, ndërsa përgjatë vijës bregdetare pritet të jetë deri e fortë.










Komente
Komento