Nuk mund të ndodhte ndryshe, Cristian Chivu fiton çmimin ‘Pankina e Artë’ në Serie A Këtë të martë, Kombëtarja shqiptare e U21 do të luajë ndeshjen miqësore me Spanjën në kuadër të përgatitjeve për Evropianin e 21 vjeçarëve që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.
Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri Alban Bushi foli për kanalet zyrtare të FSHF duke vlerësuar në maksimum potencialin teknik të skuadrës spanjolle, por theksoi se Shqipëria ka identitetin, karakterin dhe disiplinën e duhur për të përballuar këtë sfidë.
‘Me Luksemburgun morëm një fitore të merituar. Ekipi tregoi karakter, disiplinë, kompaktësi. Pavarësisht se pësuam gol të parët, nuk i dhamë asnjë mundësi kundërshtarit të na rrezikonte për rast ose gol tjetër. E kthyem rezultatin nga 0-1 në 3-1. Spanja është një kundërshtar me potencial shumë të lartë teknik. Atyre u pëlqen që ta mbajnë topin, ta zotërojnë atë, të bëjnë shumë vertikalizime. Kemi punuar dhe do të mundohemi që të mos i japim hapësira që ata të gjejnë vetveten në ato hapësira që kërkojnë. Është një ekip me lojtarë shumë cilësorë, me nivel të lartë. Ekipi ynë është një ekip që ka shumë karakter dhe disiplinë. Jemi shumë kompaktë në repartin e mbrojtjes. Ashtu siç ka Spanja repartin ofensiv shumë cilësor, kemi dhe ne repartin defensiv shumë cilësor. Do të mundohemi ta godasim Spanjën aty ku ajo ka defektin më të madh, hapësirat që lë kur është në sulm, për tranzicionin pozitiv që do të bëjmë ne. Kemi punuar shumë që ta kapim aty dhe besoj që do ta kapim-tha Bushi-Ekipi është shumë mirë fizikisht, nuk kemi asnjë lojtar të dëmtuar. Na janë shtuar edhe dy lojtarë nga ekipi A, siç është Sina. Presim edhe Fetain sot, që do të marrë pjesë në stërvitjen e fundit dhe mendoj që nesër do të luftojmë me shumë shpirt dhe zemër për të mos u dorëzuar dhe për ta mundur Spanjën’.
Trajneri i Kombëtares U21 tregon se ka planifikuar 5-6 ndryshime në formacion, për t’i dhënë freski skuadrës, ndërsa konfirmon se grupi është në gjendje të mirë fizike.
‘Do të bëjmë 5-6 ndryshime, sepse ekipi do një freski, sepse me Luksemburgun ka lojtarë që luajtën nga 90 ose 70 minuta dhe ka nevojë për një freski. I kemi lojtarët e tjerë të duhur për pozicionin ku ata do të luajnë ose për mënyrën e lojës që ne kemi. Na përshtaten shumë mirë. Janë lojtarë të rinj, ka edhe disa lojtarë të rinj që do të luajnë për herë të parë në formacion. Ekipi ynë do të mundohet të luajë si gjithmonë, duke u mbrojtur shumë fort, shumë ngushtë, për të mos i lënë asnjë mundësi kundërshtarit dhe për t’u rinisur me dy lojtarë të shpejtë që do t’i kemi në sulm, për t’i kapur ata në kundërsulm-shtoi Bushi
Në fund Alban Bushi bëri edhe një apel për tifozët që të jenë të pranishëm në Arenën Kombëtare për të mbështetur skuadrën kuqezi
‘Ne jemi ekip shumë i fortë. Por, me publikun, sa më shumë që të jenë, aq më shumë të fortë bëhemi. Publiku duhet ta kuptojë dhe ata besoj që e dinë se u bënë shumë vite që e mbështesin shumë ekipin Kombëtar, sidomos Kombëtaren A, por edhe Kombëtaret e moshave. Kemi parë që kemi pasur shumë sukses në muajin e fundit me të gjitha moshat dhe kanë qenë prezentë në stadium. Besoj që, meqë hyrja është falas, nesër në Air Albania do të kemi shumë tifozë, sepse pa ata, unë e them gjithmonë që futbolli nuk është shumë i bukur; me ata bëhet shumë i bukur dhe rezultativ’ – u shpreh trajneri Alban Bushi.
Top Channel