Nënkryetarja e Prishtinës, Besiana Musmurati, ka kritikuar mënyrën e organizimit të testeve për punësim në komuna, duke pretenduar se kandidatëve u parashtrohen pyetje të përgjithshme që nuk lidhen me profilin profesional të pozitës për të cilën konkurrojnë.

Në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Musmurati ka përmendur si shembull një pyetje që, sipas informatave që tha se kishte marrë, ishte përfshirë në një test për punësim si zyrtar i urbanizmit në Komunën e Ferizajt.


“A e dini çka është anomalia më e madhe? Ministria e Punëve të Brendshme ka krijuar një bazë të pyetjeve. Një prej pyetjeve në test, për shembull për t’u punësuar në Komunën e Ferizajt si zyrtar i urbanizmit, është: ‘Sa këmbë i ka bleta?’ Pra, paramendojeni”, ka deklaruar ajo, shkruan Telegrafi.


Musmurati e ka lidhur këtë çështje me rolin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në procedurat e rekrutimit, duke e akuzuar ministrin Xhelal Sveçla për vendosjen e filtrave në punësimin komunal.

“Për të hyrë në punë duhet të kalosh përmes filtrave që i krijon Xhelal Sveçla”, është shprehur ajo.

Sipas Musmuratit, pyetjet në teste duhet të vlerësojnë njohuritë dhe aftësitë që kërkon pozita konkrete. Ajo ka kundërshtuar përdorimin e pyetjeve të përgjithshme si bazë të vetme për vlerësimin e kandidatëve.

“Ndoshta edhe duhet ta dijë, veç nuk besoj që është diçka që i shërben punës së një arkitekti, të një inxhinieri”, ka thënë ajo, duke iu referuar pyetjes për bletën.

- YouTube youtu.be

Musmurati ka theksuar se rekrutimi i profesionistëve kërkon vlerësim sipas fushës së tyre.

“Nëse e merr në komunë një inxhinier, duhet të ketë pyetje specifike për profilin e një inxhinieri. Njëqind për qind e testeve nuk mund të jenë me pyetje të përgjithshme”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka pretenduar gjithashtu se procedurat po shkaktojnë vonesa dhe vështirësi në plotësimin e vendeve të punës, duke përmendur raste kur, sipas saj, vetëm një kandidat arrin ta kalojë testin brenda një konkursi. /Telegrafi/.