Vendosni fjalën kyçe....

Braho: Arrestimi i Vlora Hysenit nuk ka ndërprerë bashkëpunimin me SHISH-in


Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, ka komentuar arrestimin e ish-kryetares së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hysenit, duke deklaruar se bashkëpunimi mes dy institucioneve ka vijuar normalisht, pavarësisht masës së marrë ndaj saj.

Gjatë një takimi me gazetarët, Braho theksoi se veprimet e një individi nuk mund të përdoren për të vënë në dyshim një institucion të tërë.

“Pavarësisht masës ndaj Vlora Hysenit, bashkëpunimi me SHISH-in ka vijuar. Besoj institucioneve dhe nuk mund t’i përgjithësoj nga veprimet e një individi”, u shpreh kreu i SPAK.

Gjatë komunikimit me gazetarët, Braho u pyet edhe për draftin e Kodit të Procedurës Penale dhe qëndrimin e institucionit që ai drejton lidhur me ndryshimet e propozuara.

Ai bëri të ditur se SPAK ka ngritur një grup pune me prokurorë dhe këshilltarë, të cilët kanë kryer një analizë të hollësishme të draftit.

Sipas tij, çdo prokuror ka paraqitur komentet dhe vlerësimin e vet, ndërsa dokumenti përfundimtar i qëndrimit të institucionit i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë javën e kaluar.

“Ne e kemi marrë draftin edhe zyrtarisht. Kemi ngritur një grup pune me prokurorë dhe këshilltarë, të cilët kanë bërë një analizë të hollësishme të tij. Secili prokuror ka bërë një koment dhe analizë në lidhje me draftin. Ne kemi bërë gati një dokument dhe javën e kaluar ia kemi paraqitur ministrit të Drejtësisë qëndrimin tonë”, deklaroi Braho.