Disa ministra të jashtëm të Bashkimit Evropian paralajmëruan të hënën kundër diskutimit të arkitekturës së ardhshme të sigurisë së Evropës me Moskën, përpara se të arrihet një armëpushim në Ukrainë, duke i bërë thirrje Evropës të mos bjerë në kurthin rus. Ata theksuan se çdo diskutim i tillë duhet të presë arritjen e një armëpushimi në luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe varet nga gatishmëria e Moskës për të bërë lëshime thelbësore. Pasi Rusia deklaroi të premten se do të ishte e hapur për pjesëmarrjen e vendeve evropiane në bisedimet e paqes, me kushtin që ato të kenë synim të sinqertë për të kontribuar në paqe, liderët e BE-së ranë dakord që ekipi evropian të përbëhet nga Britania, e cila nuk është anëtare e BE-së, Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe institucionet e BE-së.