Kremlini hodhi poshtë të hënën akuzat e Estonisë se Rusia qëndronte pas një tentative zjarrvënieje, e cila e shtyu Talinin të njoftonte mbylljen e kufirit me Rusinë. Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, tha të dielën se të gjitha pikat e kalimit kufitar me Rusinë do të mbyllen duke filluar nga 1 dhjetori. Kjo vjen pas një tentative zjarrvënieje ndaj kompanisë "Threod Systems", prodhuese e dronëve, për të cilën Talini pretendon se është urdhëruar nga shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse, GRU. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u shpreh se akuza estoneze është pjesë e asaj që ai e quajti një seri pretendimesh të rreme kundër Moskës, të cilat vijnë nga vende evropiane. "Ato janë krejtësisht të pabaza. Prandaj, ne nuk mund t'i pranojmë akuza të tilla. Ne nuk i pranojmë, nuk i miratojmë, nuk jemi dakord me to dhe i hedhim poshtë plotësisht këto akuza," tha Peskov. "Dhe, sigurisht, një vendim i tillë për të mbyllur të gjitha pikat e kontrollit dhe kalimet kufitare është pak a shumë sikur Estonia të ndërtonte një mur. Siç tregon historia, shumë vende kanë ndërtuar mure, të cilat nuk u kanë sjellë asgjë të mirë atyre që i kanë ngritur," shtoi ai.