Zhvillimet në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste kanë rikthyer në vëmendje përplasjet dhe pakënaqësitë brenda mazhorancës, ndërsa vendimet e marra ndaj Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës janë interpretuar si një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj zërave kritikë të kryeministrit Edi Rama.

Në një në intervistë në News24, Erl Murati, foli për mbi zhvillimet në PS, duke thënë se vëmendje të veçantë merr paradoksi i evidentuar mes qëndrimit ndaj kritikëve të Ramës dhe figurave të përfshira në hetime për korrupsion.

Murati u shpreh se  ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për akuza që lidhen me korrupsionin dhe pastrimin e parave, ishte e pranishme në rreshtat e parë të Asamblesë.

Sipas tij Rama duket se po përpiqet të shuajë që në fillim çdo zë kundër tij, nga frika se pakënaqësitë mund të shtohen dhe të marrin përmasa më të mëdha në muajt në vijim.

“Ishin deri diku të pritshme zhvillimet në Asamblenë e Partisë Socialiste. Të pritshme ishin gjithashtu edhe reagimet që kanë nxjerrë në pah disa kundërshti të zërave kritikë brenda PS-së, të cilët dalëngadalë po shprehen publikisht. Lajmi kryesor nga Asambleja ishte përjashtimi i Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Pavarësisht se, nga pikëpamja administrative dhe statutore, ka njëfarë paqartësie lidhur me vendimmarrjen për largimin e tyre. Elisa Spiropali është anëtare e Asamblesë Kombëtare të PS-së, ndërsa Plarent Ndreca, me sa di, nuk është anëtar i forumeve të partisë.

Megjithatë, ishte i pritshëm qëndrimi i kryeministrit Edi Rama ndaj zërave që kanë dalë kundër tij gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Këto zëra janë inkurajuar edhe nga protestat e të rinjve dhe studentëve. Ajo që është paradoksale është fakti se gjatë ditëve të fundit, por edhe në Asamble, është diskutuar mundësia e largimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shkak se ka mbajtur qëndrime kundër kryeministrit Edi Rama, ka mbështetur protestat e të rinjve në Serbi dhe ka folur për nevojën e një zgjidhjeje politike të krizës brenda PS-së dhe në vend. Askush nuk e ka vënë në diskutim nëse Erion Veliaj duhet të jetë apo jo anëtar i Asamblesë për shkak të akuzave të ngritura ndaj tij nga SPAK-u, përfshirë akuzat për korrupsion. Debati është përqendruar te qëndrimet e tij politike dhe fakti nëse ai është apo jo kundër kryeministrit.

Do të ishte krejt normale që Asambleja e Partisë Socialiste të diskutonte largimin e një funksionari të akuzuar për korrupsion. Por paradoksi qëndron te fakti se, ndërkohë që një kryetar bashkie i akuzuar nga SPAK-u vazhdon të jetë në detyrë, mendimi ndryshe dhe qëndrimet kundër kryetarit të partisë nuk tolerohen. Një tjetër paradoks lidhet me Elisa Spiropalin. Vendimi për largimin e saj erdhi pasi ajo mbështeti protestat e të rinjve në Serbi dhe foli për nevojën e reflektimit politik dhe të një zgjidhjeje për krizën. Ndërkohë, në rreshtin e parë të Asamblesë ishte ulur ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, ndaj së cilës SPAK-u ka ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Pra, krijohet perceptimi se zërat kritikë ndaj kryeministrit përballen me pasoja politike, ndërsa personat e përballur me akuza penale vijojnë të jenë pjesë e forumeve të partisë. Ky është mesazhi që, sipas meje, përcillet nga këto zhvillime: duket se brenda Partisë Socialiste ka një tolerancë më të madhe ndaj problematikave që lidhen me akuzat për korrupsion sesa ndaj mendimit ndryshe dhe kritikës ndaj kryeministrit. Duket se ekziston një lloj uniteti për të mbrojtur njëri-tjetrin, ndërkohë që qëndrimet kundër Edi Ramës nuk tolerohen. Nuk ka pasur një diskutim të gjerë nëse personat e akuzuar nga SPAK-u për korrupsion duhet të vazhdojnë të jenë pjesë e Asamblesë”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: