Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rënie gurësh dhe dherash në disa akse rrugore në Kukës dhe Tropojë, duke sjellë ndërhyrjen e ekipeve të mirëmbajtjes dhe Emergjencave Civile.

Situata më problematike është regjistruar në aksin nacional Kukës–Shishtavec, ku gurët kanë përfunduar në trupin e rrugës. Kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen ka ndërhyrë menjëherë për largimin e tyre, duke bërë të mundur normalizimin e qarkullimit.

Probleme janë shfaqur edhe në rrugën Dushaj–Lekbibaj, në Tropojë, ku në disa segmente janë regjistruar rënie gurësh dhe dherash. Ekipet e Emergjencave Civile të Bashkisë Tropojë kanë dalë në terren për pastrimin e rrugës dhe largimin e materialeve.

Ndërkohë, reshjet e shiut vijojnë në të gjithë territorin e Qarkut të Kukësit, duke shtuar rrezikun për rrëshqitje gurësh, rënie inertesh dhe vërshime uji në akset nacionale.

Bashkia Tropojë njofton se është në koordinim me njësitë administrative dhe kompaninë e mirëmbajtjes së rrugëve, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.

Autoritetet lokale kërkojnë që qytetarët të shmangin sa më shumë lëvizjet me automjete dhe në këmbë gjatë këtyre orëve, veçanërisht në zonat ku ka rrezik për rrëshqitje dhe rënie gurësh.

Sipas Bashkisë, të gjitha ekipet dhe makineritë e rënda janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo zonë ku do të jetë e nevojshme.