Komisioni Evropian është distancuar nga kënga nacionaliste serbe, e cila shkaktoi reagime të shumta në Kosovë pasi u këndua në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të udhëhequr nga komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.

Në një përgjigje për Telegrafin, KE ka bërë të ditur se kënga ishte përzgjedhur nga vetë grupi muzikor dhe se nuk kishte marrë miratimin e institucionit evropian, duke shprehur njëkohësisht keqardhje për këtë zgjedhje.


“Siç tha komisionerja Kos këtë mëngjes, kënga në fjalë u përzgjodh nga grupi muzikor dhe nuk ishte miratuar nga Komisioni. Na vjen keq për këtë zgjedhje të grupit muzikor”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.

Komisioni ka theksuar se është i vetëdijshëm për ndjeshmërinë që shkakton kjo çështje, veçanërisht për shkak të historisë së dhimbshme dhe përvojave të ndryshme të komuniteteve në Kosovë.

“Ajo prek çështje të ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë", thuhet tutje në përgjigjen e KE-së.

Po ashtu, KE ka nënvizuar se përmbajtja e këngës nuk duhet të ndërlidhet me qëndrimin zyrtar të institucionit apo të komisioneres Marta Kos ndaj Kosovës.

“Kënga në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian apo të komisioneres Kos lidhur me Kosovën dhe historinë e saj”, thekson institucioni evropian.

Në përgjigjen për Telegrafin, Komisioni ka përcjellë edhe një mesazh për të ardhmen e përbashkët evropiane, duke bërë thirrje për tejkalimin e ndasive dhe ndërtimin e një shoqërie ku të gjithë ndihen të përfshirë.

“Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën tonë të përbashkët, por mund ta zgjedhim të ardhmen tonë të përbashkët. Dhe kjo e ardhme duhet të jetë evropiane — një e ardhme pa ndarje, ku të gjithë ndihen si në shtëpinë e tyre. Ne nuk po u kërkojmë njerëzve t'i harrojnë dallimet e tyre. Ne po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk janë më arsye për të jetuar të ndarë", ka shtuar Komisioni Evropian.

Duke iu referuar njërit prej folësve në aktivitetin e djeshëm, Komisioni ka përsëritur rëndësinë e dallimit mes diversitetit dhe ndasive.

“Siç tha njëri nga folësit në aktivitetin e djeshëm: dallimet janë të mira, ndarjet jo", ka shtuar KE.

Në fund, Komisioni Evropian ka ritheksuar se incidenti nuk e ndryshon angazhimin e tij për perspektivën evropiane të Kosovës.

“Ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së".

Reagimi i Komisionit Evropian vjen pas raportimeve dhe reagimeve të shumta lidhur me këngën e kënduar në prag të Forumit të Zgjerimit të BE-së, si dhe pas deklarimit të mëhershëm të Marta Kos, e cila shprehu keqardhje për melodinë që nxiti reagime në Kosovë. /Telegrafi/