SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe 25 personave të tjerë, si dhe dy subjekteve tregtare. Lajmi u bë i ditur nga drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, dhe dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, gjatë një takimi me gazetarët.
Prokurori Dritan Prençi konfirmoi se kërkesa për gjykimin e çështjes është depozituar në Gjykatën e Posaçme. Hetimet kanë përfshirë në total 10 procedura tenderimi, ndërsa në dosje janë marrë të pandehur, përveç Ballukut, edhe 25 persona fizikë dhe dy persona juridikë.
Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, u ndal edhe te çështja e imunitetit të Ballukut, duke deklaruar se vendimi i Kuvendit për të mos dhënë autorizimin për heqjen e imunitetit e ka penguar Prokurorinë e Posaçme të kërkojë një masë më të rëndë sigurie ndaj saj, burg ose arrest në shtëpi.
Braho iu referua vendimit të shumicës parlamentare që rrëzoi kërkesën e SPAK në dhjetor 2025, duke e cilësuar atë si të padrejtë, por theksoi se institucioni ishte i detyruar ta zbatonte.
“Pavarësisht se vendimi i Kuvendit ishte i padrejtë, SPAK thelloi hetimet dhe shtoi 3 akuza të reja ndaj Ballukut. Kjo dëshmon pavarësinë e këtij institucioni. Detyra është të zbardhë çështjen dhe të gjejë prova”, deklaroi Braho.
Ai falënderoi dy prokurorët e çështjes dhe dhjetë hetuesit që kanë punuar për hetimin.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë takimit, vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimeve arrin në 1.8 milionë euro.
Një prej çështjeve kryesore të hetimit është tenderi për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Sipas SPAK, dëmi ekonomik i shkaktuar buxhetit të shtetit nga kjo procedurë tenderimi rezulton mbi 5 miliardë lekë.
Në lidhje me procedurën për Qendrën Multifunksionale të Tiranës (QMT), SPAK ka evidentuar favorizim të padrejtë të kompanisë Salillari.
Me përfundimin e hetimeve dhe depozitimin e kërkesës për gjykim, dosja e Ballukut dhe procedurat e tenderimit të përfshira në të kalojnë tashmë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.



