Bota

Ukraina godet urën strategjike që lidh Rusinë me Krimenë, kufizohet trafiku

Ukraina ka goditur sërish urën e Krimesë, një prej infrastrukturave më të rëndësishme që lidh Rusinë me gadishullin e aneksuar nga Moska, duke shkaktuar kufizime në qarkullimin e trenave dhe automjeteve.

Lajmi u bë i ditur nga Sergei Aksyonov, kreu i autoriteteve lokale në Krime, i emëruar nga Rusia, i cili njoftoi se sulmi ka ndikuar në funksionimin e urës.

“Armiku ka goditur urën e Krimesë. Si rezultat, trafiku do të jetë i kufizuar, me shumë mundësi deri në mesditë”, shkroi Aksyonov në një postim në Telegram.

Ai shtoi se të gjitha shërbimet përkatëse janë mobilizuar për të përballuar situatën dhe për të garantuar sigurinë.

Ura e Krimesë, e njohur edhe si Ura e Kerçit, ka një rëndësi të veçantë strategjike për Moskën, pasi përbën një lidhje të drejtpërdrejtë tokësore dhe hekurudhore mes territorit rus dhe gadishullit të Krimesë, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Për shkak të rëndësisë së saj logjistike dhe ushtarake, ura është kthyer disa herë në objektiv të sulmeve ukrainase gjatë luftës, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.