Kryeministri Edi Rama ka reaguar për incidentin e ndodhur një ditë më parë në Bruksel, ku gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian u interpretua një këngë nacionaliste serbe me mesazhe kundër Kosovës.
Duke folur në Forumin e II-të të Zgjerimit të BE-së, Rama e cilësoi ngjarjen të papranueshme, pavarësisht nëse ishte e qëllimshme apo rezultat i injorancës. Sipas tij, një incident i tillë nuk duhet të kalojë në heshtje, aq më tepër kur kënga u prezantua nën titullin “melodi të unitetit”.
“Dua të them diçka rreth një të keqeje që u bë dje përmes muzikës, që nuk duhet të kthehet sot në një të keqe të pranuar përmes heshtjes. Nuk e di nëse ishte e qëllimshme apo rezultat i injorancës, por fakti që një këngë me shije nacionaliste u interpretua në prag të këtij forumi, në të kundërt të gjithçkaje që përfaqëson, është i papranueshëm. Për t’i shtuar plagës edhe fyerjen, u interpretua nën titullin e bukur ‘melodi të unitetit’”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se çështja nuk lidhet vetëm me ndjenjat e shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë, por me nevojën për të mos lejuar rikthimin e retorikave nacionaliste dhe konflikteve të së kaluarës.
Rama nënvizoi se mbetet mbështetës i afrimit të Serbisë me Bashkimin Evropian dhe i bashkëpunimit rajonal, por kjo nuk duhet të shërbejë si arsye për të toleruar mesazhe që nxisin ndarjen dhe konfliktet.
“Unë kam qenë avokat prej shumë vitesh për sa e rëndësishme është për fqinjësinë tonë ta mbajmë Serbinë në anën e Evropës dhe dua të sigurohem që ajo çfarë po them të mos shkojë në të kundërt të kësaj bindjeje. Por, në të njëjtën kohë, mendoj se nuk duhet të lëmë hapësirë për betejat mesjetare që të shndërrohen në këngë mobilizuese apo fantazi të së sotmes”, u shpreh kryeministri.
Në përfundim, Rama përsëriti qëndrimin se njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia do të ishte në interesin e vetë Serbisë dhe të gjithë rajonit.
“Sa më shpejt që Serbia të njohë Republikën e Kosovës, aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe të tjerët. Ne duhet të angazhohemi për ta transformuar rajonin tonë në gjithçka për të cilën po flasim”, tha Rama.





