Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Brukseli lidhur me incidentin e ndodhur gjatë aktivitetit të mbrëmshëm, ku u interpretua një këngë me përmbajtje nacionaliste kundër Kosovës, duke kërkuar që ngjarja të mos kalojë në heshtje.
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Dytë të Zgjerimit të Bashkimit Europian, Rama e cilësoi interpretimin e këngës si një veprim të papërshtatshëm, ndërsa theksoi se mesazhe të tilla nuk duhet të rikthejnë tensionet e së kaluarës në rajon.
“Më lejoni të them diçka para se t’i përgjigjem pyetjes suaj të drejtpërdrejtë për një të keqe që u bë dje përmes muzikës, që nuk duhet të kthehet sot në një të keqe të pranuar përmes heshtjes. Nuk e di nëse ishte e qëllimshme apo rezultat i injorancës, apo fakti që një këngë pa shije nacionaliste u interpretua në prag të këtij forumi. U interpretua nën titullin e bukur melodik të unitetit.
Çështja nuk është se lëndon vetëm ndjenjat e shqiptarëve, por ka të bëjë me nevojën që të mos lejojmë të kalojë në heshtje asgjë që na kthen në të shkuarën. Sa më shpejt Serbia të njohë Republikën e Kosovës, aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për të gjithë të tjerët. Unë kam qenë prej shumë vitesh avokat i rëndësisë që ka kjo për fqinjësinë tonë, për ta mbajtur Serbinë në anën tonë, në anën e Europës, dhe që ajo të mos shkojë në drejtim të kundërt me këtë bindje.
Por, në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që të mos lëmë hapësirë për beteja mesjetare. Të gjithë ne duhet të angazhohemi për ta transformuar rajonin tonë në gjithçka për të cilën po flasim”, u shpreh Rama.
Gjatë komunikimit me gazetarët, kryeministri u pyet edhe për protestat e zhvilluara në Tiranë. Rama iu referua atyre si “revolucioni flamingo”, duke pretenduar se vëmendja ndërkombëtare ndaj tyre ishte nxitur edhe nga ajo që ai e cilësoi si “hija e Donald Trump”.
Sipas Ramës, protestat janë shprehje e pritshmërive më të larta të qytetarëve, ndërsa ekonomia shqiptare, sipas tij, po zhvillohet me ritme të shpejta.
“Ajo që ka ndodhur në Shqipëri gjatë muajve të fundit ka qenë gjerësisht publike. Revolucioni flamingo tërhoqi vëmendjen e gjithë botës, sepse pas tij ishte hija e Donald Trump. Nuk jam shumë i sigurt se, nëse nuk do të ishte Trump, dikush do të donte t’ia dinte për flamingot në Shqipëri. Është një Shqipëri e re që kërkon më shumë. Ajo që Tocqueville e quajti ‘revolucioni i pritshmërive më të larta’”, deklaroi Rama.