Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara kundër qeverisë së tij, gjatë një diskutimi në Forumin e Bashkimit Evropian, ku u pyet për lëvizjen e pagëzuar si “Revolucioni i flamingove”.
Në përgjigjen e tij, Rama u ndal te vëmendja ndërkombëtare që morën protestat, duke pretenduar se kjo lidhej edhe me përfshirjen e emrit të presidentit amerikan Donald Trump.
Ai iu referua kundërshtimit të qytetarëve ndaj projektit të resortit në Zvërnec dhe përdori një ironi për të vënë në dyshim nëse protestat do të kishin të njëjtin jehonë pa këtë lidhje.
Kreu i qeverisë tha se protestat pasqyrojnë kërkesat e një Shqipërie që, sipas tij, po ndryshon dhe ku qytetarët kërkojnë më shumë vëmendje nga institucionet.
“Revolucioni i flamingove” tërhoqi vëmendjen e botës, por Rama pretendoi se kjo ndodhi edhe për shkak të “hijes së Donald Trump”. Ai shtoi se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë dhe ta vënë qeverisjen përballë pikëpyetjeve.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri foli edhe për procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar Bashkimin Evropian si një burim të rëndësishëm ekspertize për ndërtimin e institucioneve dhe funksionimin e shtetit.
Rama e krahasoi procesin e negociatave me një “torturë”, duke nënvizuar se kriteret dhe kërkesat e Brukselit janë të vështira, por sipas tij, ndihmojnë Shqipërinë të përmirësohet.
Ai theksoi se integrimi duhet të mbështetet te merita dhe se anëtarësimi pa përmbushur kriteret do të ishte i rrezikshëm. Në të njëjtën kohë, Rama kritikoi politikën e Bashkimit Evropian, për të cilën tha se shpesh nuk i përmbush pritshmëritë për shkak të dobësive dhe përplasjeve të brendshme mes vendeve anëtare.














