Sport

Sonte Gjermani-Holandë/ Klopp duhet të fitojë, por Xavu ka ndërtuar një makineri golash të pamëshirshme

Stuhia holandeze është gati të bjerë mbi Berlinin, e ushqyer nga vetëbesimi i madh pas fitores spektakolare 7-0 ndaj Greqisë, e cila deri pak orë më parë konsiderohej surpriza e Grupit A2 të Nations League. Sonte do të luhet një përballje që tashmë është cilësuar si një “finale e parakohshme” dhe që do të transmetohet në platformën Digitalb.

Gjermania e drejtuar nga Jurgen Klopp nuk ka asnjë alternativë tjetër: duhet të fitojë për të siguruar kualifikimin. Në renditje, ajo ka 8 pikë, po aq sa Greqia, ndërsa në krye qëndron Holanda e Xavit me 11 pikë. Një fitore do t’i ngjiste gjermanët mbi Holandën, falë avantazhit në përballjet direkte, duke i siguruar njëkohësisht qetësinë edhe në rast të një fitoreje të mundshme të Greqisë ndaj Serbisë. Në rast barazimi, Kimmich dhe shokët e tij do të ishin thuajse të eliminuar. Një dështim i parë, edhe pse jo shumë i rëndë, për projektin e ri të Federatës Gjermane, e cila i besoi drejtimin e kombëtares trajnerit të konsideruar si magjistari Klopp.

Sigurisht që bën përshtypje fitorja 7-0 me të cilën Holanda shkatërroi ish-kryesuesen e grupit. Në Johan Cruyff Arena, protagonisti absolut ishte Tijani Reijnders, autori i një tregolëshi, ndërsa gjeti rrugën e rrjetës 2 herë edhe mbrojtësi i Arsenalit, Jurrien Timber. Emërimi i Xavit – ish-regjisorit të lojës te Barcelona dhe një prej gjenive të vërtetë të futbollit – në stolin e Holandës i ka dhënë padyshim një impuls të ri repartit ofensiv të skuadrës. Megjithatë, jo gjithçka funksionon në mënyrë të përkryer në repartin defensiv. Këtë e ka vënë në dukje edhe portieri Verbruggen gjatë këtyre ditëve, duke tërhequr vëmendjen te disa shpërqendrime të mbrojtjes dhe te fakti se Holanda ka pësuar pesë gola në katër ndeshjet e para të këtij edicioni. Nga këta pesë gola, vetëm një është shënuar nga Gjermania në ndeshjen e parë mes tyre, me autor Nmecha-n. Ajo përballje përfundoi në barazim 1-1, ndërsa për holandezët shënoi Gakpo. Edhe kjo është një çështje që meriton vëmendje.

Pikërisht për të shfrytëzuar këto dobësi të mundshme në repartin defensiv, Jurgen Klopp po mendon të aktivizojë në qendër të sulmit shtatlartin Niclas Füllkrug. Pas eksperiencës zhgënjyese në Itali me fanellën e Milanit, sulmuesi e ka nisur sezonin me nëntë gola të shënuar në Bundesligë për Ëerder Bremenin.Alternativa është Havertz, por çelësi i vërtetë do të jetë kontributi i tre lojtarëve që do të veprojnë pas sulmuesit të vetëm në skemën 4-2-3-1 të Kloppit. Bëhet fjalë për Gruda, Ëirtz dhe Scherhant. Në mesfushë, dy luftëtarët e zakonshëm, Pavlovic dhe Kimmich (ky i fundit më në fund i rikthyer në pozicionin e tij të preferuar, pas kalvarit si mbrojtës i djathtë nën drejtimin e Nagelsmannit), do të përballen me teknikën dhe cilësitë e mira me topin të De Jong dhe Veerman.

Sfida mes Gjermanisë dhe Holandës do të jetë një nga rastet e rralla kur mund të shohim Dumfries e vërtetë, atë që përshkon vazhdimisht krahun e djathtë në skemën 3-4-3 të Xavit. Në Madrid, anësori holandez detyrohet të luajë si mbrojtës i djathtë dhe paraqitjet e tij nuk kanë qenë në nivelin e sezoneve të kaluara. Ndërkohë sytë do të jenë edhe te Reijnders për elegancën dhe teknikën e tij. Vëmendje do të marrë edhe Donyell Malen që këtë sezon është protagonist absolut në Serie A. Sulmuesi i Romës është shfaqur si një vrasës i pamëshirshëm brenda zonës së rreptësisë, i cili vazhdon të shënojë rregullisht me Romën dhe që gjeti rrugën e rrjetës edhe ndaj Greqisë. Pra, janë një mijë arsye për të mos e humbur këtë ndeshje, që ngjan me një finale të vërtetë dhe që me shumë gjasa do të përcaktojë njërën prej skuadrave pretendente për triumfin në Ligën e Kombeve.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.