10 vjet punë dhe mbi një miliard dollarë – si u krijua GTA 6?

Pas më shumë se një dekade zhvillimi dhe 13 vjetësh pritjeje nga GTA V, Rockstar Games po përgatitet për lansimin e Grand Theft Auto VI, një prej video-lojërave më të kushtueshme dhe më të shumëpritura në histori.
Gazeta britanike The Guardian ka vizituar studion Rockstar North në Edinburg të Skocisë, duke sjellë detaje për procesin e krijimit dhe risitë e lojës.
Edhe pse seria Grand Theft Auto njihet për portretizimin e qyteteve amerikane, zemra e zhvillimit të saj ndodhet në Skoci.
Sot, rreth 5 mijë persona në mbarë botën janë të përfshirë në krijimin e kësaj serie, ndërsa Rockstar North mbetet qendra kryesore e saj.
Sipas The Guardian, zhvillimi i GTA VI ka nisur që në vitin 2015, fillimisht me emrin e koduar Project Americas.
Loja u prezantua zyrtarisht në dhjetor 2023, ndërsa lansimi i saj është shtyrë dy herë.
Vlerësimet e pavarura sugjerojnë se zhvillimi mund të ketë kushtuar mbi një miliard dollarë, megjithëse Rockstar nuk e ka konfirmuar këtë shifër.
Pritshmëritë financiare janë jashtëzakonisht të larta, duke marrë parasysh se paraardhësi, GTA V, ka shitur rreth 230 milionë kopje.
Një Vice City më realist dhe dy protagonistë
Ngjarja e GTA VI zhvillohet në Vice City, një qytet imagjinar i frymëzuar nga Miami, në shtetin fiktiv Leonida.
Loja ndjek historinë e Jason dhe Lucia, një çift i përfshirë në botën e krimit.
Lucia bëhet protagonistja e parë femër me rol qendror në historinë e serisë.
Një nga risitë kryesore është marrëdhënia mes dy personazheve, të cilën lojtarët mund ta ndikojnë përmes vendimeve dhe veprimeve gjatë lojës.
Rob Nelson, një nga drejtuesit krijues të GTA VI, ka shpjeguar se Rockstar dëshiron t'u japë lojtarëve më shumë përgjegjësi për veprimet e tyre, pa ua kufizuar lirinë që e karakterizon këtë seri.
Ndryshe nga lojërat e mëparshme, grabitjet kërkojnë më shumë planifikim, ndërsa mënyra se si kryhen krimet mund të ndikojë në zhvillimin e ngjarjeve.
Një nivel i jashtëzakonshëm detajesh
Gjatë demonstrimit për The Guardian, janë shfaqur elemente që dëshmojnë ambiciet e Rockstar për realizëm.
Personazhet mund të ndërveprojnë me kalimtarët, të përkëdhelin kafshët dhe të eksplorojnë një botë të mbushur me aktivitete të ndryshme.
Loja përfshin edhe 62 lloje zogjsh që mund të identifikohen, ndërsa ambientet, dyqanet dhe personazhet janë krijuar me një nivel të lartë detajesh.
Nelson ka pranuar se një nga sfidat më të mëdha nuk janë më kufizimet teknologjike, por koha dhe burimet njerëzore që kërkon ndërtimi i një bote kaq të madhe virtuale.
Sipas drejtueses së publikimeve në Rockstar, Jennifer Kolbe, kompania mund të kishte krijuar një version të përmirësuar të GTA V në një kohë më të shkurtër, por synimi ishte diçka shumë më ambicioze.
Me interesimin e jashtëzakonshëm global dhe investimin shumëvjeçar, GTA VI pritet të jetë jo vetëm një sukses i madh komercial, por edhe një pikë kthese për industrinë e video-lojërave. /Telegrafi/






































