Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me dosjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila tashmë është dërguar për gjykim në GJKKO. Lala u ndal te deklaratat e kreut të SPAK, Klodian Braho, duke zbuluar se paralelisht me dosjen e dërguar në gjykatë, prokurorët po verifikojnë edhe procedura të tjera tenderuese.
Duke iu referuar deklaratave të Brahos, Lala tha: “Nga kjo dosje që është dërguar për gjykim në GJKKO është ndarë një fraksion që ka të bëjë me procedura të tjera tenderuese, të cilat po kalojnë në sitën e prokurorëve të posaçëm, për atë që konsiderohet shkelje e barazisë në tendera.”
Për këtë arsye, gazetarja e cilësoi këtë zhvillim si nisjen e asaj që mund të konsiderohet “Dosja Balluku 2”, megjithëse emri i ish-zëvendëskryeministres nuk është regjistruar ende si person nën hetim në këtë fraksion.
“Mund të themi se SPAK ka nisur Dosjen Balluku 2, edhe pse emri i Ballukut ende nuk është regjistruar si person nën hetim. Ka nisur verifikimi për procedura të tjera tenderuese, por po kryhet hetimi vetëm për regjistrimin e veprave penale dhe nuk ka persona të regjistruar nën hetim ende”, sqaroi Lala.
Një tjetër çështje e rëndësishme që u diskutua ishte kërkesa për arrestimin e Belinda Ballukut. Sipas Lalës, kreu i SPAK, Klodian Braho, bëri të ditur se institucioni i qëndron ende kërkesës së depozituar në Kuvend në vitin 2025 për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres dhe autorizimin e arrestimit të saj.
“Zoti Braho tha një detaj. SPAK i qëndron kërkesës që bëri në vitin 2025 për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut, sepse sipas tij, kërkesa e parë e dorëzuar në Kuvend plotësonte kriteret. Prokurorët shkuan në Kuvend me kërkesën për arrestimin e Ballukut me bindjen se plotësoheshin kriteret për një masë më të rëndë kufizuese ndaj saj”, deklaroi gazetarja.
Ajo theksoi se, pavarësisht rrëzimit të kërkesës nga mazhoranca, SPAK nuk është tërhequr nga qëndrimi i tij fillestar.
Sa i përket mundësisë së paraqitjes së një kërkese të dytë për arrestim, Lala tha se nga shpjegimet e Brahos u kuptua se raporti i mazhorancës, me të cilin u rrëzua kërkesa e SPAK, e kishte vendosur Prokurorinë e Posaçme në një pozicion të vështirë për të ndërmarrë një nismë të re.
“Braho la të kuptohet se raporti i mazhorancës, që rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, e bënte Prokurorinë e Posaçme të kishte duart e lidhura dhe të mos mund të paraqiste një kërkesë të re. Por ai sqaroi se pozitën e Ballukut e kanë rënduar hetimet e thelluara”, u shpreh Lala.
Gazetarja solli në vëmendje edhe argumentet e përdorura në raportin e mazhorancës, ku ishte analizuar kërkesa e SPAK në raport me Kodin e Procedurës Penale.
“Në raportin e deputetëve të mazhorancës thuhet se zgjerimi i hetimeve nuk përbën rëndim të pozitës penale dhe, për rrjedhojë, zgjerimi i hetimit nuk mund të konsiderohet automatikisht si rrethanë që justifikon rëndimin e masës së sigurisë”, citoi Lala deklaratën e Brahos.
Nga ana tjetër, sipas gazetares, kreu i SPAK ka përmendur edhe një vendim të Gjykatës së Lartë të prillit 2026, ku theksohet se shtimi i akuzave ndaj një të pandehuri përbën rëndim të pozitës së tij procedurale në çështjen penale.
“Braho citon edhe një vendim të Gjykatës së Lartë të prillit 2026, ku thuhet se shtimi i akuzave për të pandehurën përbën rëndim të pozitës procedurale në çështjen penale. Por, referuar qëndrimit të Kuvendit, kjo situatë është konsideruar e pamjaftueshme për paraqitjen e një kërkese për një masë më të rëndë sigurie”, shpjegoi ajo.
Një tjetër argument lidhej me rrezikun e prishjes së provave. Në raportin e mazhorancës ishte pretenduar se materialet e paraqitura nga SPAK nuk evidentonin rrethana konkrete që tregonin një rrezik real për ndërhyrjen në prova.
“Në raportin e mazhorancës thuhet se nga materialet e paraqitura nuk janë evidentuar rrethana që tregojnë rrezik real për prishjen e provave. Sipas Brahos, gjatë fazës së dytë të hetimit prokurorët nuk zbuluan prova që Balluku mund të kishte ndërhyrë për të prishur provat”, deklaroi Lala.
Argumenti tjetër kishte të bënte me rrezikun e përsëritjes së veprave penale. Duke qenë se Balluku ishte larguar nga funksionet që ushtronte më parë, mazhoranca kishte argumentuar se ajo nuk kishte më mundësi të kryente vepra të ngjashme me ato për të cilat dyshohet.
“Pjesa tjetër lidhet me kryerjen e veprave të njëjta. Duke qenë se Balluku është zhveshur nga funksionet, nuk mund të kryejë vepra të ngjashme me ato që dyshohet se ka kryer, pasi nuk është më në funksionet politike që kishte më parë”, përmblodhi Lala argumentin e paraqitur në këtë çështje.
Në këtë mënyrë, sipas gazetares, pavarësisht se SPAK pretendon se pozita e Ballukut është rënduar pas zgjerimit të hetimeve dhe evidentimit të akuzave të tjera, argumentet e përdorura nga mazhoranca për rrëzimin e kërkesës së parë kanë ndikuar në qëndrimin e Prokurorisë së Posaçme lidhur me paraqitjen e një kërkese të re për arrestim.
