Në ekonominë e zhvillimit, dallimi mes rritjes dhe transformimit strukturor është i thjeshtë, por shpesh i dhimbshëm: rritja është të bësh më shumë nga ajo që bën zakonisht; transformimi është të mësosh të bësh gjëra që më parë nuk mund t'i bëje dot.
Ndërsa zinxhirët europianë të furnizimit po rikonfigurohen në kërkim të afërsisë gjeografike, Ballkani Perëndimor po shndërrohet në një laborator i gjallë të kësaj ndarjeje. Disa kryeqytete po përvetësojnë gramatikën e inxhinierisë moderne; të tjerat po mjaftohen me rentën e betonit dhe të bregdetit.
Asimetria duket qartë në treguesin më pak të manipulueshëm të vitalitetit industrial të një vendi. Kjo është vlera e shtuar të manifakturës për frymë.

Në këtë grafik, rajoni ndahet me një vijë të qartë gjeoekonomike. Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina operojnë në një regjim tjetër prodhues, duke gjeneruar gati dyfishin e vlerës së shtuar për banor krahasuar me Shqipërinë. Edhe Kosova fqinje, me gjithë kufizimet e saj strukturore, arrin një densitet më të lartë prodhues.
Kjo nuk është rastësi historike, por rezultat i zgjedhjeve politike: ndërsa Beogradi dhe Shkupi përdorën zonat e lira ekonomike dhe stimujt e shënjestruar për të ankoruar furnizuesit e industrisë gjermane të automobilave, Tirana zgjodhi një drejtim tjetër, duke ia lënë strukturën e saj prodhuese arbitrazhit të pagave të ulëta dhe goditjeve të kursit. Pasojat e kësaj filozofie lexohen në sofistikimin e eksporteve.
Në Maqedoninë e Veriut (36%) dhe Serbi (29%), gati një e treta e vlerës së shtuar industriale buron nga degë me teknologji të mesme dhe të lartë—katalizatorë, komponentë elektronikë dhe makineri.

Këto ekonomi kanë grumbulluar atë që ekonomistët e Harvardit e quajnë "njohuri e heshtur produktive", çka i rendit mes 55 vendeve më komplekse në botë. Në Shqipëri, mbi 91% e manifakturës mbetet e ngujuar në teknologji të ulët: qepje këpucësh, veshje nën regjimin e përpunimit aktiv (fason) dhe agro-përpunim bazik.
E pozicionuar në vendin e 81-të të kompleksitetit ekonomik, Shqipëria nuk konkurron me inxhinieri, por me koston marxhinale të punës. Kur mbiçmimi i lekut dhe tkurrja demografike e fshinë këtë avantazh, modeli shqiptar nuk u përshtat përmes kapitalizimit dhe automatizimit; ai thjesht filloi të atrofizohet.
Që ky hendek strukturor nuk shkakton alarm të menjëhershëm në Tiranë, shpjegohet me një iluzion statistikor. Nëse vlerës së shtuar të fabrikave shqiptare ($783 për frymë) i shtohen industria nxjerrëse dhe energjia, shifra ngjitet në $1,190. Por sapo në ekuacion futet ndërtimi, treguesi kërcen në $2,820 për frymë, duke krijuar fasadën e një ekonomie me peshë të rëndë industriale.
Ky është paradoksi klasik i vendeve që ngatërrojnë akumulimin e aseteve të patundshme me kapitalin produktiv. Ndërtimi i kullave dhe resorteve gjeneron likuiditet të shpejtë dhe qarkullim fiskal, por është një sektor i patregtueshëm. Një metër katror beton në bregdet nuk eksportohet në Frankfurt, ashtu siç bëjnë komponentët elektronikë të montuar në Shkup apo Novi Sad.
Duke kanalizuar kursimet dhe fuqinë punëtore drejt pasurive të paluajtshme dhe turizmit, ekonomia shqiptare po përjeton një variant vendas të "sëmundjes holandeze"—ku lulëzimi i sektorëve të brendshëm dhe flukset valutore gërryejnë sistematikisht aftësinë konkurruese të fabrikave eksportuese.
Konvergjenca ekonomike me Europën nuk fitohet përmes rentës së tokës, por përmes kompleksitetit të prodhimit. Ndërsa fqinjët ballkanikë po integrohen si nyje të domosdoshme në arkitekturën industriale të kontinentit, Shqipëria rrezikon të konsolidohet si një ekonomi konsumi dhe shërbimesh—e begatë në sipërfaqe, por strukturalisht e brishtë përballë çdo cikli që ftoh turizmin ose tregun e betonit./Kapitali.al
© SYRI.net
Shpenzimet e sektorit bankar për fondin e humbjeve nga kredisë u rritën për 9-mujorin
Bitcoin bie pranë nivelit më të ulët të tre muajve, mbetet nën 65 mijë dollarë mes pasigurisë në tregjet financiare
Këmbimi valutor 16 nëntor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera