Xhelozia kthehet në atentat në Itali, 20-vjeçari i ngul thikën ish-të dashurit të partneres së tij

16/11/2026 15:54

Një konflikt i nisur për motive xhelozie ka përfunduar në përplasje të përgjakshme në Palermo të Italisë, ku një 20-vjeçar ka goditur me thikë në bark ish-të dashurin e partneres së tij aktuale.

I plagosuri, vetëm 19 vjeç, është transportuar me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori i dyshuar, një 20-vjeçar nga Palermo, është arrestuar nga karabinierët, ndërsa dy të rinj të tjerë, që dyshohet se e shoqëronin gjatë sulmit, janë proceduar në gjendje të lirë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e fundit në zonën pranë stacionit qendror të Palermos. Sipas hetimeve paraprake, viktima është dhunuar fillimisht fizikisht dhe më pas është goditur në bark me një thikë të tipit butterfly, me teh rreth 10 centimetra.

Dyshimet e para të hetuesve janë se shkak i sulmit është bërë xhelozia e 20-vjeçarit për shkak të një lidhjeje të mëparshme sentimentale mes viktimës dhe partneres së tij aktuale, një 25-vjeçare nga zona.

Pas sulmit, 20-vjeçari dhe dy personat e tjerë janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke u përpjekur t’i shpëtonin identifikimit. Megjithatë, karabinierët nisën menjëherë kërkimet dhe, falë pamjeve të kamerave të sigurisë dhe dëshmive të personave që kishin parë ngjarjen, arritën të identifikonin dhe lokalizonin tre të rinjtë brenda një kohe të shkurtër.

Gjatë kontrollit në banesën e 20-vjeçarit, efektivët gjetën dhe sekuestruan armën e dyshuar të krimit, e cila kishte ende gjurmë gjaku, si dhe veshjet që ai dyshohet se kishte përdorur gjatë sulmit. Gjithashtu, u sekuestruan edhe telefonat celularë të të tre personave.

20-vjeçari është arrestuar dhe dërguar në burgun e Palermos, në pritje të seancës për vleftësimin e arrestit. Ndërkohë, dy bashkëpunëtorët e dyshuar janë proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kanë përgjegjësi, në forma të ndryshme, për veprën penale të tentativës së vrasjes në bashkëpunim.

Top Channel