Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të hënë në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që po mbahet në Bruksel, nën temën “Evropë më e gjerë-Evropë më e fortë”. Forumi fokusohet në progresin e vendeve kandidate, Paketën e Zgjerimit të këtij viti dhe perspektivën e një Bashkimi Evropian më të zgjeruar, më të fortë dhe më rezistent. Kryeministri ishte pjesë e panelit me temë “Arritjet e zgjerimit: Reforma, Investime dhe Rritje”, së bashku me Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajić, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, Komisionerin Europian për Ekonominë dhe Produktivitetin, si dhe për Zbatimin dhe Thjeshtimin, Valdis Dombrovskis, dhe deputetin e Parlamentit Europian, Thijs Reuten. Paneli u moderua nga Suzanne Lynch, drejtuese e zyrës së Bloomberg në Bruksel.
Mideratorja, Suzanne Lynch, drejtuese e zyrës së Bloomberg në Bruksel: Ursula von der Leyen tha se vendi po bën progres mbresëlënës, por a mendoni se dëshira e Shqipërisë për tu anëtarësuar vazhdon të jetë e pranishme? Natyrisht vendi ka pasur shumë protesta, ka pasur shumë publicitet këtu në Bruksel dhe në mbarë botën. A e ka dëmtuar kjo në ndonjë mënyrë dëshirën e Shqipërisë për tu anëtarësuar apo edhe emrin e saj apo thjesht na jepni një ide se ku janë gjërat për momentin?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë që na ftuat. Më lejoni të them diçka përpara se t’i përgjigjem pyetjes suaj të drejtpërdrejtë rreth një të keqeje që u bë dje përmes muzikës, që nuk duhet të kthehet sot në një të keqe ta pranuar përmes heshtjes. Nuk e di nëse ishte e qëllimtë apo rezultat i injorancës apo fakti që një këngë pa shije nacionaliste u interpretua në prag të këtij forumi, në të kundërt të gjithçkaje që përfaqëson dhe për ti shtuar plagës edhe fyerjen, u interpretua nën titullin e bukur “meloditë e unitetit”. Nuk është se e lëndon vetëm ndjenjat e shqiptareve, kombit shqiptar apo qytetarëve shqiptar të Republikës së Kosovës, por ka të bëjë me nevojën për të mos lënë të kalojë në heshtje asgjë që na kthen në të shkuarën.
Unë kam qenë avokat prej shumë vitesh për sa e rëndësishme është për fqinjësinë tonë, për Serbinë, për ta mbajtur Serbinë në anën tonë, në anën e Evropës gjatë gjithë kohës dhe dua të sigurohem që ajo çfarë po them të mos shkojë në të kundërt të kësaj bindjeje, por në të njëjtën kohë mendoj se nuk duhet të lëmë hapësirë për fushëbetejat mesjetare që të shndërrohen në këngë mobilizuese apo fantazi mobilizuese së të sotmes. Sa më shpejt që Serbia të normalizojë dhe të njohë Republikën e Kosovës, aq më mirë do jetë për Serbinë e për gjithë të tjetër dhe nga ana tjetër, të gjithë ne, duhet të angazhohemi për ta transformuar rajonin tonë në gjithçka për të cilën po flasim sepse në fund të fundit ne nuk po kërkojmë të vijmë këtu, ne po kërkojmë të sjellim Europën atje. Ne nuk po kërkojmë të bëhemi dikush tjetër, po kërkojmë të jemi vetja me identitete të ndryshme, me kultura të ndryshme e tradita të ndryshme. Por duke bashkëndarë atë çfarë e bën këtë shtëpi një familje ku të gjithë duan të bëjnë pjesë.
Kjo ishte diçka që doja ta thoja përpara se t’i përgjigjem pyetjes suaj. Nëse doni që të shtjelloj më tepër protestat mund ta bëj këtë gjë, por ajo çfarë do të thoja është kjo. Ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë muajve të fundit është publikuar, ka qenë publike gjerësisht madje pati dhe një emër Revolucioni i Flamingove, tërhoqi gjithë vëmendjen e botës sepse ndodh që pas kësaj është dhe hija e Donald Trump. Sepse nuk jam i sigurt se, po të mos ishte Donald Trump, dikush do të donte t’ia dinte për flamingot në Shqipëri.
Megjithatë mënyra si e shoh këtë është shumë më ndryshe. Është një Shqipëri e re që kërkon më shumë. Dhe në fakt është ajo çfarë Tokëvili (Tocqueville) e quajti revolucioni i pritshmërive më të larta. Njerëzit kërkojnë më shumë, njerëzit kanë plotësisht të drejtë legjitime të kërkojnë më shumë vëmendje dhe për të ngritur dhe pikëpyetje se ku janë njerëzit në këtë transformim, çfarë ka për ta ky transformim dhe kur flasim për një ekonomi në rritje, kur flasim për investime e kështu me radhë. Ky është pikërisht fakti pse jemi kaq të lidhur ngushte me BE dhe pse po punojmë kaq fort me BE që ka qenë shumë dobi prurës në vetvete. Kështu që kjo është qasja ime e parë. Faleminderit edhe një herë që na keni ftuar. Është nder të jemi me Malin e Zi sepse ata janë më të vegjlit, por edhe objekti i xhelozisë tonë.
– Një temë që ka dalë gjatë gjashtë muajve të fundit këtu në Bruksel, ka qenë një ide e paraqitur nga Gjermania së pari për anëtarësim të asociuar për Ukrainën, por dëgjuam gjithashtu dhe Alexander Stubb sot paradite që tha se kjo nënkuptonte integrim gradual në qasje. Edi Rama, cila është pikëpamja juaj për këtë, për të pasur diçka midis apo një integrim gradual? Është mundësi kjo apo e kundërshtoni?
Kryeministri Edi Rama: Jo. Jo vetëm që nuk e kundërshtoj, por kam luftuar për këtë gjë prej një kohe të gjatë dhe mendoj se Plani i Rritjes në vetvete është një instrument që e pasqyron këtë qasje nga ana e Komisionit dhe e Bashkimit Europian vetë, sepse hendeku ende vijon të jetë i madh dhe nevoja për të pasur më shumë sa u takon kapaciteteve për ta mbyllur këtë hendek është e jashtëzakonshme. Mendoj nga ana tjetër, po kështu, se përpjekjet për të bërë gjëra siç ato që ju përmendët si anëtar i asociuar për Ukrainën për shembull nuk shkojnë askund.
E para sepse është një gënjeshtër. Së dyti, sepse nuk ka të bëjë me ndryshimin e thelbësisht të instrumentit të integrimit të Bashkimit Europian që është një proces i mbështetur në meritë, sepse nuk është në interes të vendeve tona vetë për ta ndryshuar një gjë të tillë. E kam parë këtë, në vetë të parë dhe jam përpjekur ta ndaj në të gjitha mënyrat e ndryshme bindjen se procesi i bazuar në meritë është kryesisht e mbi të gjitha një dhuratë për ne. Është një proces, i cili na bën ne të aftë të bëjmë gjëra për të cilat përkundrazi nuk do të ishim në gjende t’i bënim. Përgjatë gjithë historisë, traditës e mungesës së institucioneve e mungesës së shoqërive të shkuara mbështetur në institucione. Pra, për shkak të tyre nuk do të kishim qenë në gjendje që t’i bënim këto gjëra. Po për fat të mirë jemi në mes të Europës dhe kemi Bashkimin Europian.
Bashkimi Europian është burimi më i jashtëzakonshëm i dijes se si ndërtohen institucionet e si krijohet një sistem, i cili funksionon në vetvete. E di që po kështu është vendi më i sofistikuar i “torturës”. Nuk ka aspak dyshim. “Torturat” që mund të gjesh në këtë ndërtesë janë të pashoqe.
Ata e dinë saktësisht “si të derdhin gjak” në çdo hap që hedh. Por është për ne, për ne mbi të gjitha. Shqipëria sot është një vend krejtësisht ndryshe falë këtij procesi. Kështu që të kesh diçka ndryshe nga procesi i bazuar në meritë është njësoj si të marrësh një patentë pa ditur t’i japësh makinës. Rrezikon veten, por rrezikon edhe të tjerët. Europa nuk ta jep këtë gjë, por ajo që mendoj që mungon është politika. Mendoj që Komisioni ka të drejtën e vet që të na “torturojë” dhe e bën këtë në mënyrë të përsosur. Po ndërkohë që, falë kësaj “torture” e pune, ne përmirësohemi gjithmonë e më tepër, politika e Bashkimit Europian shpesh na zhgënjen, na rrëzon për shkak të dobësisë së saj apo për shkak të politikave të brendshme në një shtet anëtar, tjetrin apo tjetrin.
Nuk do t’i kthehem kohës së poshtërimit. Tre vjet falë vendit të kolegut tim këtu. Jo, jo, vendi juaj, politika juaj, qeveria juaj Mark Rutte në qoftë se doni ta them kështu sepse nuk kishte një shumicë që do të qëndronte po të tregohej mirë me mua kështu që u tregua i keq me mua, por kështu që u bëmë miq shumë të mirë. Politika është shumë pas, mbetet shumë pas. Ajo që shpresoj, dëshiroj e për të cilën lutem është që sot Europa të gjejë momentin e saj, Helmut Kohl.
Helmut Kohl nuk shkoi në vendin ku ra muri për t’iu thënë bashkë atdhetarëve të tij gjermano -lindorë, jeni të lirë shijojeni lirinë. Pa gjejeni keni 33 kapituj përpara se të jetojmë së bashku. Jo, ai tha, thashmë jemi bashkë. Pjesa tjetër do të vijë. Kështu që, besoj se ka ardhur koha për Komisionin Europian, për Këshillin, për shtetet anëtare t’i sjellë të shtatë dhe jemi shtatë sa ç’ janë fëmijët e Ursulës. Ajo ka shtatë fëmijë. T’i sjell këta të shtatë, pra t’i ul përreth tryezës. Secili prej të shtatëve duhet të jetë absolutisht pjesë e tryezës, por secili mund të përfitojë nga tryeza pikërisht atë çfarë thotë procesi i bazuar në meritë.
Pra, mund të ulesh rreth tryezës, po në qoftë se nuk do të shkosh në shkollë, dhe je fëmija i Ursulës, atëherë ndëshkohesh. Është çështje gjermane. Mendoj që është e bëshme, është politike dhe nuk ka nevojë të ndryshojë asgjë. Vetëm që çdo vend të jetë aty. Mali i Zi bëhet anëtar, na jep leksione të gjithëve, por jemi ndërkohë rreth tryezës të gjithë. Kështu e shoh unë sepse dhe do ta mbyll me këtë. Në qoftë se Ursula do t’u thoshte fëmijëve “duhet të rriteni aty jashtë në lagje para se t’ju pranojmë në shtëpi”, atëherë do të rrezikohej që fëmijët mos vinin në shtëpi, pastaj më. Largqoftë vajza mund të binte në dashuri me një gangster rus e kur je i ri duket shumë më tërheqës sesa Bashkimi Europian apo një tjetër vajzë mund të luante me lodra kineze deri në atë pikë, sa nuk do donte të kthej në shtëpi. Nuk është ide e mirë pra që ne të mbahemi jashtë.
Jo ne shqiptarët, ne mund të rrimë jashtë sepse ne nuk jemi si askush tjetër këtu. Nuk kemi marrëdhënie me Rusinë. Jemi i vetmi vend pa ndonjë investim të rëndësishëm kinez. Nuk na merr malli. Pra jemi paksa të veçantë. Kështu që, mund të rrimë aty jashtë. Jemi plotësisht të dashuruar me Bashkimin Europian dhe do të rrimë aty edhe në qoftë se Bashkimi Europian do të zhduket. Në Tiranë do të kemi rezidencën e re të Bashkimit Europian. Do vazhdojmë të luftojmë për Bashkimin Europian ashtu siç kemi luftuar për perandoritë e tjera pasi ato kishin rënë. Pra nuk ka të bëjë me ne, ka të bëjë me të gjithë rajonin dhe si evropian të gjithë duhet ta shohim në këtë lloj mënyre. Në një kohë kur të tjerët janë krejt në një vend tjetër t’i bësh, të vazhdosh të punosh si përditë apo si zakonisht nuk është ide e mirë. Kështu që rroftë Bashkimi Europian.
-Një realitet është që është e drejtë të thuhet mes 27 anëtarësh që disa prej vendeve mendojnë se janë djegur pak sepse disa të tjerë që janë anëtarësuar nuk është se luajtën sipas rregullave dhe mendoj që pika maksimale e influencës apo e ndikimit që ju thoni është që BE-ja bëhet katalizator për ndryshimin e vendeve, por kur të futen brenda pastaj mund të shkelnin rregulla.
Kryeministri Edi Rama: Po ideja është që para se të martohesh çdo gjë duket shumë mirë edhe kur hyn pastaj mund të dalë ndonjë gjë. Megjithatë, martesa është më e mirë sesa të rrish pa martuar dhe unë di diçka për këtë, duke qenë se jam martuar disa herë. Pra, kështu është, por e mira është që ne nuk duam e nuk po kërkojmë alternativa. Duam të martohemi këtu, me Bashkimin Europian me çdo kusht. Kështu që, nuk shpëtoni dot prej nesh. Nuk ikni dot prej nesh, na merrni brenda. Sigurisht, patjetër që nuk do të jemi të përsosur, por nuk do të jemi të mërzitshëm se disa prej anëtarëve që keni brenda. Po kështu ka dhe një mit. Ka një mit sepse në fakt kushdo që është këtu në këtë ndërtese nga ana e Komisionit dhe mund të flasë, mund të thotë që ky proces është shumë herë më kërkues për ne se çka qenë për vendet që janë anëtarësuar më parë.
Nuk është se Bashkimi Europian ka bërë ndonjë gabim dhe tani po përpiqet të shmangë të njëjtat gabime duke mos i pranuar me shpejtësi këto vende. Jo, çdo vend që vjen më pas ka një proces shumë më të vështirë sa i takon kërkesave që duhet të përmbushë se “torturuesit” që do të thotë Komisioni, i sofistikojnë “torturat” e tyre se e shohin për shembull, le ta marrim këtë vendin por ka disa defekte aty, atëherë këtu t’i “torturojmë” më shumë. Ata më të “torturuarit” janë ata që vijnë më pas. Kështu që nëse sot shihni Malin e Zi apo Shqipërinë që krahasohen me kandidatë të pranuar më parë në të njëjtën fazë, ne kemi bërë shumë më tepër sesa ç‘kanë bërë ata përpara anëtarësimit. Dhe në fakt Komisioni në çdo hap na ka kërkuar të përmbushim ato rregulla të cilat duhet t’i zbatojmë kur hyjmë. Pra ne po zbatojmë rregullat e meritës ende pa patur shansin për të qenë në një dhomë me nusen. Do thoja është kastruese, por do them që është frustruese.
