Lajm i mirë për Kosovën, Irlanda mbetet pa kapitenin Nathan Collins

Kapiteni i Irlandës, Nathan Collins, është përjashtuar nga ndeshja kundër Kosovës, e cila zhvillohet të martën në kuadër të Ligës së Kombeve.
Lajmi është konfirmuar të hënën nga përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, i cili bëri të ditur se mbrojtësi është larguar nga grumbullimi dhe është kthyer te klubi i tij, Brentford, për t'iu nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme mjekësore.
Collins kishte pësuar një dëmtim në gju në fund të ndeshjes ndaj Austrisë, të cilën Irlanda e humbi me rezultat 1-0 të shtunën në Linz. Pas asaj sfide, përzgjedhësi Hallgrimsson kishte paralajmëruar se futbollisti do t'i nënshtrohej kontrolleve mjekësore.

“Është bërë një skanim këtu në Dublin dhe është vendosur që ai të kthehet te Brentford për ekzaminime të tjera. Pra, nuk do të jetë në skuadrën tonë për ndeshjen. Jimmy Dunne do ta zëvendësojë në listë”, deklaroi Hallgrimsson.
Mungesa e Collins është një goditje për Irlandën, pasi bëhet fjalë për kapitenin e skuadrës dhe një prej lojtarëve kryesorë në repartin defensiv.
Ai ka luajtur vetëm në një nga gjashtë ndeshjet e Irlandës në këtë edicion të Ligës së Kombeve, pasi kishte munguar edhe në grumbullimin e shtatorit dhe tetorit për shkak të një lëndimi në pulpë.
Në vend të tij në skuadër është ftuar Jimmy Dunne, ndërsa Saamus Coleman nuk do të jetë pjesë e ekipit në cilësinë e futbollistit, pasi vazhdon të ketë një rol të kombinuar mes trajnerit dhe ndihmësit.

Ndërkohë, përzgjedhësi irlandez ka qetësuar situatën rreth James Abankwah, i cili kishte përjetuar ngërçe muskulore në ndeshjen ndaj Austrisë. Sipas Hallgrimssonit, mbrojtësi është rikuperuar dhe pritet të jetë i gatshëm për Kosovën.
Irlanda e pret Kosovën të martën në stadiumin “Aviva” në Dublin, në një ndeshje me rëndësi të madhe për vendasit, të cilët duhet të fitojnë për të siguruar pjesëmarrjen në plejofin për promovim në Ligën A të Ligës së Kombeve në muajin mars. /Telegrafi/












































