Afrim Qendro ka reaguar pas shkarkimit nga drejtimi i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Me anë të një mesazhi, ai rendit arritjet që pretendon se ka realizuar gjatë nëntë muajve në krye të institucionit. Qendro përmend ristrukturimin e institucionit, aksionet kundër ndërtimeve pa leje, kontrollet në kantieret e ndërtimit dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve.
Po ashtu, ai falënderon në mënyrë të veçantë kryeministrin Edi Rama për besimin, si dhe bashkëpunëtorët dhe punonjësit e IKMT-së. Megjithatë, në reagimin e tij, ish-kreu i IKMT-së nuk jep asnjë shpjegim për arsyet e largimit nga detyra si kreu i IKMT.
Në fund të reagimit, ai uron që të gjitha punët e mira të nisura të vijojnë me të njëjtin përkushtim dhe që IKMT të vazhdojë të përmbushë me dinjitet misionin e tij në shërbim të ligjit, qytetarëve dhe mbrojtjes së territorit e mjedisit që përbën një ndër kapitujt më të rëndësishëm në negociatat me BE-në.
Reagimi i Afrim Qendros:
Një falënderim nga zemra!
Pas nëntë muajsh në krye të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, është momenti të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ata që më besuan, më mbështetën dhe u bënë pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët në këtë institucion.
Ishte një periudhë intensive, me shumë sfida, përgjegjësi dhe punë, por mbi të gjitha me rezultate konkrete, të cilat besoj se kanë lënë gjurmën e tyre në funksionimin dhe orientimin e mëtejshëm të IKMT-së.
Që në ditët e para, synimi im ishte që IKMT të bëhej një institucion më profesional, më efikas dhe më pranë qytetarëve. Për këtë arsye, një nga punët e para ishte ristrukturimi i burimeve njerëzore, duke synuar që formimi dhe profesioni i çdo punonjësi të përputhej sa më mirë me pozicionin dhe përgjegjësitë e tij. Besoj se institucionet e forta ndërtohen pikërisht duke vendosur njerëzit e duhur në vendin e duhur.
Kemi punuar për të ndryshuar dhe përmirësuar imazhin e IKMT-së, duke i dhënë më shumë rëndësi misionit të tij në mbrojtje të territorit, mjedisit dhe pyjeve. Kemi qenë të vendosur në ndëshkimin e ndërtimeve të paligjshme, njëkohësisht kemi bashkëpunuar me ARRSH-në në hapjen e kantiereve dhe avancimin e projekteve publike por dhr pastrimin e akseve rrugore duke kuptuar se zhvillimi dhe respektimi i ligjit duhet të ecin gjithmonë së bashku.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë në kantieret e ndërtimit. Rritja e monitorimit, kontrollet më të shpeshta dhe kërkesa për zbatimin e standardeve të sigurisë kanë qenë pjesë e një pune të vazhdueshme, me një objektiv të qartë: mbrojtjen e jetës së punonjësve. Fakti që gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur ngjarje tragjike në kantieret e ndërtimit është një rezultat që na bën të ndihemi mirë, sepse pas çdo kontrolli dhe çdo mase të marrë qëndron një jetë njerëzore.
Po aq e rëndësishme ka qenë edhe puna me ankesat e qytetarëve. Kemi synuar që IKMT të mos jetë thjesht një institucion që ushtron kontroll, por edhe një institucion që dëgjon dhe u përgjigjet qytetarëve. Sot po trajtohen jo vetëm ankesat e reja, por edhe shumë prej atyre të mbartura prej vitesh, të cilat për një kohë të gjatë kishin mbetur pa zgjidhje. Besoj se ky është një nga treguesit më domethënës të përgjegjësisë që një institucion publik duhet të ketë ndaj qytetarëve.
Asnjë prej këtyre punëve dhe rezultateve nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen dhe bashkëpunimin e shumë njerëzve.
Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Kryeministrin Edi Rama, për besimin që më dha dhe mundësinë për të drejtuar këtë institucion duke dhënë kontributin tim në një detyrë me përgjegjësi të lartë publike.
Një falënderim i sinqertë për Zëvendëskryeministren Albana Koçiu, për mbështetjen dhe bashkëpunimin, si dhe për Besfort Lamallarin dhe Ervin Demon, ministrat me të cilët pata mundësinë të punoja gjatë kësaj periudhe, për komunikimin dhe bashkëpunimin institucional.
Por falënderimi më i veçantë shkon për të gjithë punonjësit e IKMT-së, gra dhe burra, me të cilët ndamë sfida, përgjegjësi dhe angazhimin e përditshëm për të çuar përpara punët e institucionit. Secili prej jush ka dhënë kontributin e vet dhe rezultatet e arritura janë mbi të gjitha meritë e punës suaj. Ju falënderoj për përkushtimin, seriozitetin dhe bashkëpunimin!
Largohem nga kjo detyrë me respekt për institucionin, me mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët dhe me kënaqësinë që në këta nëntë muaj arritëm të bëjmë punë konkrete, të vendosim prioritete të qarta dhe të hedhim themele për një IKMT më të mirë.
Jam i bindur se puna e mirë nuk duhet të ndalet me largimin e një drejtuesi. Përkundrazi, ajo duhet të vazhdojë, të konsolidohet dhe të çojë përpara standardet e vendosura.
Uroj që të gjitha punët e mira të nisura të vijojnë me të njëjtin përkushtim dhe që IKMT të vazhdojë të përmbushë me dinjitet misionin e tij në shërbim të ligjit, qytetarëve dhe mbrojtjes së territorit e mjedisit që përbën një ndër kapitujt më të rëndësishëm në negociatat me Bashkimin Evropian.
Faleminderit të gjithëve që ishit pjesë e këtij rrugëtimi! Mirënjohje dhe respekt!
